Dëshmitarët: Masakra në veri e kryer në prani të KFOR-it dhe UNMIK-ut

Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, të ashtuquajturat ‘Rojat e urës’, vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën 25 të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë dhe banesat e tyre në flakë.

Plaku 85 vjeçar, Shaip Canhasi nga Mitrovica, i cili jeton i vetmuar prej kohës kur ia vranë gruan, rrëfen për KosovaPress ngjarjen e asaj nate. Ai ndjehet i mërzitur, përton të flasë, sepse preket shumë, përjeton rëndë dhe nuk dëshiron të kujton atë natë tmerri.

Megjithatë, mes lotëve kujton momentin trishtues kur duke parë bashkëshorten e vrarë, humb ndjenjat dhe i bie të fikët.Në anën tjetër, kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, tha se është i rëndë kujtimi i kësaj masakre.

Sipas tij, ka pasur shumë masakra në Kosovë, por pas luftës kjo është e para dhe e vetmja e cila është kryer në prani të KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut.

Ai përmend disa nga emrat e autorëve të kësaj masakre, siç janë Oliver Ivanoviq dhe Dragan Delibashiq, ndërsa thotë se KMLDNj, Qendra Rajonale në Mitrovicë, ka bërë kallëzime penale ndaj 12 kriminelëve në Mitrovicë, mirëpo siç u shpreh ai, deri sot janë marrë në pyetje vetëm 4 prej tyre.Barani ka potencuar se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë deri sot për veriun dhe shqiptarët atje.

Ndryshe, emrat e atyre që u vranë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të viti 2000 janë, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.