Dështon përpjekja për formimin e qeverisë së re të Bosnjes

0
233

Takimi i tre anëtarëve të presidencës trepalëshe të Bosnje Herzegovinës më datë 20 gusht përfundoi pa një marrëveshje për formimin e kabinetit të ri qeveritar, pasi presidenti serb Dodik u shpreh kundër paketës, që do të përfshinte edhe miratimin e një plani që do të afronte Bosnjën drejt anëtarësimit në NATO.

Ky takim vjen pas marrëveshjes trepalëshe të nënshkruar më 5 gusht, që i jepte një afat kohor prej 30 ditësh tre presidentëve për krijimin e qeverisë, kriter që u pat theksuar nga Dodik, duke thënë se nëse qeveria nuk krijohej brenda afatit Republika Srpska që ai përfaqëson do të gjente rrugë ndarjeje nga Bosnje Hezegovina.

Presidenti serb është shprehur kundër hyrjes së Bosnjes në NATO, duke këmbëngulur për të ruajtur një status neutraliteti.

Mosmarrëveshjet midis serbëve pro-rusë të Bosnjës dhe dy grupeve të tjera etnike mbi marrëdhëniet e ardhshme të Bosnjës me NATO-n mund të zhysin vendin në një krizë edhe më të thellë.

Një marrëveshje midis përfaqësuesve të tre grupeve kryesore etnike serb, kroat dhe boshnjak është thelbësore, sepse mungesa e një qeverie ka shkaktuar stopim në zhvillimin ekonomik të vendit, që ende po përpiqet të rimëkëmbet pas luftës shkatërruese të viteve 1992-95.

dita