Dështon zgjedhja e Drejtorit të RTK-së. Ja kush është garë?

Është bërë intervistimi i kandidatëve që synojnë ta marrin postin e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës. Por, ka dështuar të zgjedhet njëri nga ta.

Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, në një prononcim për Gazetën Express, tha se drejtori pritet të emërohet javën e ardhshme.

“Sot janë kry intervistat, po zgjedhja nuk është bërë për shkak të procedurave ligjore…Zgjedhja e drejtorit bëhet javën e ardhshme”, tha Maliqi.

Në garë për të parin e RTK-së janë Ngadhnjim Kastrati, Nexhmedin Spahiu, Menduh Abazi, Lorik Arifaj, Ragip Luta, Festim Kabashi e Azem Bujupi.

Express mëson se kandidati favorit për të marrë postin e drejtorit të RTK-së, është Ngadhjnim Kastrati, që njihet për afërsinë e tij me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Ndërkohë edhe Festim Kabashi shihet po ashtu si i favorizuar për shkak të afërsisë që ka me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Pas skadimit të mandatit të Mentor Shalës, ushtrues detyre është Mufail Limani.

Bordi aktual që do të zgjedhë drejtorin e ri të RTK-së, përbëhet nga Afërdita Maliqi, kryetare e bordit, Elif Tokmak, nënkryetare, Naile Demiri, anëtare, Marijana Adamović-Šimić, anëtare, Agron Gashi, anëtar, Lirim Geci, anëtar dhe Sali Bashota, anëtar.