Dhuna nëpër shkolla, dukuri shqetësuese

28 raste të raportuara që nga fillimi i vitit të ri shkollor 2019/2020, raporton T7.Një rrahje ka ndodhur ditë më parë në fshatin Gurrakoc të Istogut.

Gjithë ky incident ndodhi mes nxënësve të shkollës së mesme “Mit’hat Frashëri”

E shokët e tyre, përveç që po i shikonin, edhe i inkurajonin ata.

Por, gjithë kjo ngjarje që u shfaq edhe në rrjete sociale nuk ka kaluar pa u rënë në sy edhe policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, në një përgjigje për T7, ka thënë se kanë marrë masa në këtë rast, por me urdhër të prokurorit të përfshirit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Personat e dyshuar janë përfshirë në një rrahje në mes veti për shkak të një mosmarrëveshje mes veti. Prokurori i shtetit është konsultuar dhe me urdhër të tij të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, të cilët nuk kanë pasur lëndime trupore. Përveç patrullimeve të shtuara dhe prezencës policore në kuadër të detyrave rutinë, Stacioni Policor në Istog ka të angazhuar gjatë tërë kohës dy Zyrtar Policor në rrobe civile për tu marrë me problematikat e shkollave.”

Por, ky nuk është rasti i vetëm i dhunës në shkolla.

Raste të tilla ndodhin gjithandej nëpër Kosovë.

Ndërkohë, Zyra për informim e DPP ka bërë të ditur për T7 se janë afër 30 raste të incidenteve të tilla, që kanë ndodhur që nga fillimi i vitit të ri shkollor.

“Kemi gjithsej 28 raste të raportuara për dhunë në shkolla. Pos kësaj, kemi të raportuara gjithsej 2 raste të posedimit të substancave narkotike në shkolla. Masat e Policisë së Kosovës janë patrullimet e shpeshta përreth shkollave, fushatat e ndryshme vetëdijësuese që kanë për qëllim parandalimin e krimit, ligjërata që ndërlidhen me tema rreth parandalimit të krimit tek të miturit.

E me shqetësim këto raste i shohin njohësit e fushës së arsimit.

Petrit Tahiri thotë se këto raste të dhunës duhet të trajtohen seriozisht nga institucionet kompetente.

E shqetësuese është edhe përdorimi i substancave narkotike në afërsi të shkollave.

Deri me tani, në polici janë raportuar dy raste të tilla.