Dialogu Kosovë-Serbi, DASH: Sekretari Blinken është angazhuar personalisht për këtë çështje

0
276

Nga Departamenti amerikan i Shtetit janë deklaruar pas takimit disa orësh që u mbajt dje në Bruksel, mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por që përfundoi pa marrëveshje.

Zëdhënësi i DASH’it, Ned Price, tha se edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është angazhuar personalisht për këtë çështje, qe një kohë të gjatë, raporton express.

“Janë një mori zyrtarësh të lartë që po e vëzhgojnë këtë çështje nga afër. E kemi një zyrtar të lartë që është në Bruksel, duke vëzhguar nga afër këto bisedime. Ju siguroj që këto bisedime e kanë vëmendjen e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ambasadori ynë në BE është një nga zyrtarët që po e vëzhgon këtë nga afër. Por, ka zyrtarë të lartë që edhe këtu në Uashington po e bëjnë të njëjtën. Kjo është një çështje me të cilën vetë Sekretari Blinken është angazhuar personalisht prej një kohe të gjatë. Ky është një prioritet që përfshinë gjithë organizatën tonë, në terren dhe këtu në SHBA”, tha Price para gazetarëve.

Price pati edhe një thirrje për të dy palët.

“Nga ajo që dimë është se bisedimet po vazhdojnë. Ne, në partneritet me BE-në po e ndjekim me kujdes dhe inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u sugjerojmë palëve që të vazhdojnë dialogun”, tha zoti Price.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se Uashingtoni e përkrah në tërësi dialogun dhe tha se është me rëndësi që të dyja palët të shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit se atë uhet të “çojnë përpara diskutimin për normalizim marrëdhëniesh që ka në qendër premisën e njohjes së ndërsjellë”.

Price nuk pranoi të përgjigjej nëse Shtëpia e Bardhë i ka dorëzuar një mesazh të enjten Bashkimit Evropian në lidhje me dialogun Kosovë Serbi, por ai tha se “ne jemi të kënaqur që këto diskutime kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe tani. Ne do të mbesim të përfshirë drejtpërdrejtë me të dyja palët, me homologët tanë në Kosovë dhe Serbi si dhe përmes vëzhgimit të bisedimeve që po ndërmjetësohen nga BE-ja”.