Diaspora kërkon mënyra për të investuar në Kosovë

0
26

Diaspora e Kosovës veçanërisht ajo nga Gjermania po shpreh gatishmërinë për të investuar në Kosovë. Në kuadër të Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani që ka mbi 500 firma anëtare-aktive, synojnë tregun e Kosovës në shumë fusha të ndryshme.

Ndonëse, sipas komunitetit të biznesit në mërgatë ka barriera për të investuar në Kosovë, por që konsiderojnë që janë në rrugën e duhur për t’u zgjidhur.

Drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Vëllaznim Kelmendi, pohon se ka pasur disa takime me drejtues të Qeverisë dhe komunave të Kosovës për të gjetur zgjidhje në sjelljen e kapitalit të mërgatës në vendlindje.

“Ka përmirësime të shumta për klimën e investitorëve prej diasporës. Natyrisht që ka edhe pengesa, por që është duke u punuar në atë drejtim. Ne si Union kemi vu kontakte direkte prej kryeministrisë deri te kryetarët e komunave, të jemi të sinqertë ka lëvizje pozitive”, thotë Kelmendi në një intervistë për KosovaPress.

Drejtori i Unionit që është nga firma Kelmendi GmbH, thotë se është firma e parë shqiptare e cila ka marrë produktet ushqimore kosovare dhe ka plasuar në tregun e Evropës, përcjell albinfo.ch.

Kelmendi shton se të gjitha brendet e Kosovës, Kelmendi GmbH i plason në tregun e Evropës.

“Ne kemi bërë investime të shumta në Kosovë, ndërsa investimi më i qëlluar ka qenë, që ne jemi fokusuar në eksportin e produkteve të Kosovës në tregun e Evropës. Produktet si ato bujqësore, ushqimore, por edhe ato industriale që i ka Kosova”, pohon ai.

Po ashtu, drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani ka mirëpritur marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e parkut të bizneseve për mërgatën, duke thënë se Kosova po i hap dyert për mërgatën shqiptare.

“Mendoj se me këtë park, sot Kosova po i hap dyert diasporës dhe firmave shqiptare. Ne kemi punuar me vite që të vijmë deri te kjo ditë që sot po bëhet realitet”, deklaron Kelmendi.

Parku i bizneseve për diasporën që do të jetë mbi 50 hektarë sipërfaqe, sipas tij, do të jetë në funksion së shpejti për bizneset shqiptare.

Në fund, Kelmendi deklaron se qëllimi i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, është që të bëjnë rrjetëzimin e firmave shqiptare. Këto kompani kanë arritur të nënshkruajnë mbi 150 kontrata bashkëpunimi në vlerë dhjetëra milionë euro.