Dimri po afrohet, sivjet ndalohet përdorimi i thëngjillit në gjithë Kosovën

Ka disa vite që qytetarët e Prishtinës po alarmohen për shkallën e lartë të ndotjes në kryeqytet, sidomos me ardhjen e stinës së dimrit. Për këtë arsye, sikurse vjet edhe sivjet, bizneset e vogla dhe familjet nuk do të mund ta përdorin thëngjillin, pasi kjo lëndë po konsiderohet si njëri nga ndotësit kryesor të ajrit.

Ndalimi për përdorimin e thëngjillit po bëhet për shkak të ruajtjes së ambientit, në mënyrë që ajri të jetë sa më i pastër.

Kështu Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka vendosur që edhe këtë vit të ndalojë shitjen e thëngjillit si lëndë djegëse, por kësaj radhe në tërë territorin e Kosovës pavarësisht se vitin e kaluar një gjë e tillë ishte ndaluar vetëm në Prishtinë.

Të gjithë operatorët ilegal të cilët do të nxjerrin thëngjill dhe do të tentojnë ta shesin atë, do të gjobiten nga MMPH-ja.

Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i MMPH-së, Leutrim Sahiti, i cili tha se vendimi i ministrit Fatmir Matoshi, që të ndalohet shitja e thëngjillit do të zbatohet në tërë territorin e Kosovës.

Sipas tij, sivjet nuk do të ketë askund thëngjill për shkolla, ndërsa do të shtohen edhe kontrollet nga inspektorët e caktuar në teren, për të ndaluar shitjen e përdorimin nëpër ekonomitë familjare.

“Vendimi i ministrit Matoshi ka qenë që të ndalohet shitja e thëngjillit në Prishtinë dhe në gjithë vendin. Këtu vlen të theksohet se edhe në shkollat e Prishtinës është ndaluar përdorimi i thëngjillit. Edhe këtë vit do të aplikohet procedura e njëjtë dhe është bërë për shkak të numrit të madh të përdoruesve të thëngjillit. Po ashtu, vlen të përmendet se shitja e thëngjillit është ilegale dhe për këtë arsye edhe në qytetet e tjera ku inspektoratet hasin në shtije ilegale të thëngjillit apo duke transportuar, duhet intervenuar”, tha Sahiti.

Sahiti tutje për FaktePlus ka pohuar se në të kaluarën rastet të cilat janë parë duke nxjerrë thëngjill në mënyrë ilegale, janë dërguar në gjykatë.

Ai po ashtu tha se këtë vit do të ndalohet edhe dhënia e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut.

“Me kërkesën e ministrit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e ka ndaluar dhënien e thëngjillit për punëtorët e vet, tash nuk do të lejohet t’u jepet thëngjill për punëtorët e KEK-ut sepse ka qenë një praktikë e mëhershme, por që tashmë nuk do të ndodhë”, tha Sahiti.

Kujtojmë se Kosova ka vite që po përballet me nivele të larta të ndotjes që vijnë si nga termocentralet, ashtu edhe nga veturat e vjetra. Bazuar në hulumtime të mëhershme, vjetërsia mesatare e automjeteve në Kosovë është 18 vjet.

Ndryshe në vitin e kaluar, Prishtina me rrethinë kishte qenë zona me cilësinë më të ndotur të ajrit, madje e listuar edhe në top lista botërore.