Dioguardi: Shqiptarët në Zvicër duhet të kenë lobin e tyre sikur në SHBA

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Joseph Dioguardin, njeriun me të cilin lidhen shumë nga arritjet e komunitetit shqiptar në SHBA në kuptim të sensibilizimit të qarqeve drejtuese amerikane me çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi

Themeluesi dhe kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptare-Amerikane (ACCL), politikani i njohur amerikan me prejardhje arbëreshe, Joseph Dioguardi, po qëndron prej disa ditësh në Zvicër. Ai në këtë vizitë po shoqërohet nga bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Shirley Cloyes Dioguardi.

Kreu i organizatës që konsiderohet si Lobi i shqiptarëve në SHBA këtu ka ardhur për të mbështetur themelimin e një organizate që do të funksionojë sipas modelit të ACCL-së. Bëhet fjalë për Lidhjen Qytetare Shqiptare-Zvicerane, e cila u themelua dje, më 24 nëntor, në Amriswil të Kantonit Thurgau, me praninë dhe angazhimin e Dioguardit.

Siç e thotë për albinfo.ch mysafiri nga SHBA-ja, kjo organizatë erdhi në jetë me iniciativën e një grupi ndërmarrësish të rinj shqiptarë me qëndrim në Zvicër. Në mbledhjen themeluese në Amriswil u prezantua grupi iniciues, në të cilin bënin pjesë edhe bashkatdhetarë që më parë kishin jetuar në SHBA dhe tani janë shpërngulur në Zvicër. Lidhja e tyre me Dioguardin duket të ketë qenë përcaktuese për themelimin e “Lidhjes Qytetare Shqiptare -Zvicerane”, ashtu si dhe për ftesën e bërë Dioguardit që të jetë pjesë e evenimentit të themelimit.

Albinfo.ch me këtë rast ka zhvilluar një intervistë me Joseph Dioguardin, njeriun me të cilin lidhen shumë nga arritjet e komunitetit shqiptar në SHBA në kuptim të sensibilizimit të qarqeve drejtuese amerikane me çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Albinfo.ch: Cili është qëllimi i ardhjes Tuaj në Zvicër?

Joseph Dioguardi: Ne kemi ardhur këtu me ftesën e një grupi ndërmarrësish të rinj shqiptarë, të cilët kanë treguar vullnetin për të bërë diçka që të ndihmojnë kauzën kombëtare shqiptare, duke ndjekur atë që është bërë në SHBA me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Shirley dhe unë punojmë vullnetarisht në atë që e bëjmë për kombin shqiptar. Ne jemi mbështetur nga një bord i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe nga shumë miq të tjerë dhe mbështetës të cilët japin kontribute financiare për aktivitetet e Lidhjes sonë Qytetare. Lobimi në Amerikë kërkon shumë përpjekje, kohë dhe para. Dhe ne jemi të lumtur që ky vit shënon 30 vjetorin e Lidhjes tonë qytetare dhe se suksesi ynë do të vazhdojë me siguri edhe për disa dekada të ardhshme.

Albinfo.ch: Ju po asistoni në themelimin e Lidhjes Qytetare Zvicerane-Shqiptare. A po themelohet kjo organizatë sipas modelit të Lidhjes Qytetare Amerikane-Shqiptare që e keni themeluar dhe e drejtoni ju?

Joseph Dioguardi: Po, ne do të mbështesim idenë e krijimit të Lidhjes Shqiptare-Zvicerane për sa kohë që kjo organizatë e re do të jetë lobi i vërtetë dhe të bashkëpunojë ngusht me ne në sjelljen e mesazhit për çështjen shqiptare tek veshët dhe sytë e duhur, në Parlamentin e Zvicrës dhe në Parlamentin Evropian. Kjo është mënyra si fituam ne në SHBA. Departamenti i Shtetit nuk ka qenë gjithmonë në favor të çështjes kombëtare sjqiptare. Në fakt, gjatë luftës në Kosovë, Departamenti i Shtetit ka qenë më tepër proserb. Kështu, ne i senisbilizuam shumë kongresmenë dhe senatorë amerikanë në mënyrë që ata të mund t`i kuptonin qartë të vërtetat lidhur me luftën e Kosovës dhe të bëheshin mbështetës të kërkesave të drejta të shqiptarëve për paqe dhe për pavarësi të Kosovës.

Albinfo.ch: A mund të thuhet se ky subjekt që po themelohet është një degë e AACL-së?

Joseph Dioguardi: Lidhja Qytetare Shiptaro-Zvicerane do të jetë një organizatë e pavarur por do të punojë ngusht me ne dhe me Lidhjen tonë Qytetare. Ne besojmë se ata do të përqafojnë modelin tonë të punës. Dhe si të tillë, ata mbase mund të funksionojnë si një kapitull i Lidhjes Civile Shqiptare-Amerikane.

Albinfo.ch: A mendoni se modeli amerikan i organizimit të lobit shqiptar mund të gjejë zbatim edhe në Zvicër?

Joseph Dioguardi: Ne e kuptojmë se ka shumë dallime në mes të SHBA-së dhe Zvicrës dhe mënyrat tona të qeverisjes po ashtu ndryshojnë. Në SHBA ne kemi në fuqi sistemin e kontrollit dhe të ekuilibrave. Atje pushteti qeveritar është i ndarë në mënyrë të qartë në tri shtylla: Legjislativi (që është Kongresi Amerikan), Ekzekutivi (Administrata, Zyra e Presidentit, Departamenti i Shtetit etj.) dhe Gjyqësori (gjykatat).

Unë nuk jam shumë i njohur me sistemin zviceran të qeverisjes por e di se Zvicra është një demokraci e vjetër dhe një federatë që funksionon mirë. Ju i keni kantonet sikurse që ne në SHBA i kemi shtetet. Ju keni Parlamentin Federal suikurse ne në SHBA që kemi Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington, DC. Kështu, nuk është e pamundur të ndiqet modeli i lobimit tonë në SHBA dhe të implementohet po ai këtu, në Zvicër. Një përparësi tjetër që ju mund ta keni këtu është për faktin se ju në Zvicër keni një komunitet shumë më të madh dhe më kompakt shqiptar në krahasim me atë në SHBA.

Albinfo.ch: Nëse është kështu, ku e shihni potencialin e shqiptarëve në Zvicër?

Joseph Dioguardi: Për këto pak ditë sa qëndruam këtu ne takuam shumë ndërmarrës të rinj dhe afaristë të suksesshëm shqiptarë. Duket se gjenerata e dytë dhe e tretë e shqiptarëve këtu është integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane dhe kanë bërë një imazh të mirë për veten dhe për kombin që përfaqësojnë.

Duket shumë premtues fakti se brezi i ri i shqiptarëve ka aftësinë të bëjë atë që kërkohet për kombin shqiptar tani dhe ata kanë brezin më të vjetër të shqiptarëve që kanë ardhur këtu në vitet 1950, 1960 etj, nga të cilët mund të mësojnë se çfarë do të thotë të duash kombin dhe atdheun. Diaspora ka qenë gjithmonë një burim i fuqishëm mbijetetese për shumë familje shqiptare në vendin e tyre të prejardhjes në gjithë Ballkanin. Sot, diaspora mund të bëhet forcë e ndryshimit për përmirësim në vendet tuaja të prejardhjes dhe determinuese për të ardhmen.

Këto janë disa nga rezultatet e Lobit Shqiptar në SHBA

Albinfo.ch: Na i tregoni disa nga rezultatet e deritashme të Lobit që drejtoni ju në SHBA

Joseph Dioguardi: Lidhja jonë qytetare këtë vit shënon 30-vjetorin e punës së saj. Siç e thashë në fillim, ndonëse ka histori të panumërta suksesi që mund t`i radhisja, unë do t’i përmbledh kështu përpjekjet tona: sjellja e lirisë dhe pavarësisë në Kosovë, demokracia në Shqipëri, pastaj kushtimi i vëmendjes së politikës së jashtme amerikane për sjelljen e të drejtave të barabarta për shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Për detaje të punës sonë, ju mund të vizitoni faqen tonë të internetit në www.accl.com.