Disa komuna të AAK-së sfiduan Hotin, këto janë komunat tjera që mbajtën mësim sot

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që sot, ditë e hënë 30 nëntor 2020, të jetë ditë punë si dhe thirrja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që sot në shkolla të mos mbahet mësimi dhe të jetë ditë pushimi në bazë të kalendarit të vitit shkollor 2020/21, ka shkaktuar shumë paqartësi.

Kësisoj disa prej komunave nuk e kanë respektuar vendimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe gjatë ditës së sotme shkollat i kanë mbajtur të mbyllura.

Në shumë komuna, përkundër thirrjes së Drejtorive të Arsimit, disa shkolla kanë marrë vendim kokë më vete kështu duke mos iu përgjigjur thirrjes së kryeministrit që mësimi të mbahej, ndërsa në disa shkolla ky vendim është respektuar.

Por një vendim i tillë nuk u respektua fare në komunën e Rahovecit, kjo me vendim të Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.

Në një përgjigje për lajmi.net, drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Morina, ka thënë se nuk është mbajtur mësim në asnjë shkollë. Kjo për shkak se, siç tha ai, është respektuar kalendari vjetor i përpiluar nga MASH-i.

Po ashtu ia i ka thënë lajmi.net, se njoftimi i kryeministri ishte tepër i vonuar dhe nuk kanë pasur mundësi që t’i njoftojnë nxënësit për vendimin e ri.

“Në komunën e Rahovecit sot, më 30.11.2020, nuk është duke u mbajtur mësim në asnjë shkollë. Kjo për arsye se ne respektuam kalendarin vjetor të përpiluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas të cilit dita e sotme është ditë pushimi. Njoftimi i kryeministrit ishte tepër i vonuar dhe ne nuk kishim mundësi t`i ri njoftonim shkollat dhe nxënësit për ditën e sotme si ditë pune, sepse paraprakisht i patëm njoftuar të premten gjatë ditës se dita e hënë është pushim, duke iu referuar kalendarit vjetor të përpiluar dhe të pa ndryshuar nga MASH”, ka thënë Morina.

Edhe në komunën e Obiliqit nuk u respektua fare vendimi i Hotit.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Rexhep Zeka, ka thënë për lajmi.net se ata e kanë respektuar vetëm kalendarin e viti shkollor 2020/21 dhe kjo ditë në kalendar është pushim, kësisoj ai thotë se mësimi nuk është mbajtur në asnjë shkollë.

Ai thotë se vendimi i Hotit ka qenë i vonuar dhe se ata i kanë lajmëruar nxënësit më herët që e hëna do të jetë pushim.

“Unë po mendoj që asnjëri vendim nuk është respektuar, por është respektuar kalendari i vitit shkollor. SBASHK-u nuk nxjerr vendim, por ne e kemi zbatuar kalendarin e vitit shkollor, udhëzimin administrativ i cili është në fuqi. Përderisa kryeministri e ka marrë një vendim pas orës 16:00 ditën e premte, ne nxënësit dhe mësimdhënësit veçse i kemi pas njoftuar që dita e hënë është ditë pushimi edhe mandej ne kemi vazhduar me atë dhe nuk kemi dashur që ta prishim ditën e festës përderisa është e paraparë me udhëzim administrativ ditë pushimi. Po sot në Obiliq ka qenë ditë pushimi në të gjitha shkollat, jo tu e respektua vendimin e SBASHK-ut, por duke i respektuar udhëzimin administrativ i cili është në fuqi, kalendarin e vitit shkollor. Ne e kemi zbatuar kalendarin e vitit shkollor dhe asnjë vendim tjetër”, ka thënë Zeka.

Në anën tjetër, vendimi i kryeministrit Hoti është respektuar nga komuna e Klinës dhe ajo e Fushë Kosovës.

Drejtori i Arsimit në komunën e Klinës, Enver Gashi ka thënë për lajmi.net se mësimi nuk është mbajtur vetëm në Gjimnaz.

“Në të gjitha shkollat e komunës së Klinës është mbajtur mësimi, vetëm në Gjimnaz nuk është mbajtur mësim”, ka thënë Gashi.

Edhe drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani ka thënë për lajmi.net se mësimi është mbajtur në të gjitha shkollat

“Ne Komunën e Fushë Kosovës të gjitha shkollat fillore dhe të mesme janë duke mbajtur mësim të rregullt në objektet shkollore . Vetëm një shkollë fillore ( Selman Riza – Fushë Kosovë ) është në mësim online nga IKSHP për shkak të Covid-19 “, ka thënë Shabani.

Ndërsa Drejtori i Arsimit në Istog, Hajrush Shoshi i ka thënë lajmit se në komunën e Istogut shumica e shkollave e kanë zbatuar vendimin e Qeverisë.

“Po ju njoftoj se në komunën e Istogut shumica e shkollave janë e duke e zbatuar vendimin e Qeverisë ku edhe janë duke e mbajtur mësimin por kemi edhe shkolla ku jemi detyruar që ta ndërpresim mësimin për shkak të numrit të vogël të nxënësve apo të mësimdhënësve”, ka thënë Shoshi.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme SBASHK ka kundërshtuar këtë vendim të kryeministrit Hoti duke u bërë thirrje shkollave që sot mos të mbahet mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës.

Lini një Përgjigje