Distria Krasniqi mposht edhe serben, kualifikohet në gjysmëfinale

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka triumfuar në përballjen me xhudisten serbe Andrea Stojandinov, në çerekfinale të Grand Prixit të Turqisë.

Në çerekfinale të kategorisë deri në 57 kilogramë, Krasniqi triumfoi ndaj Stojandinovit, duke e siguruar një vend në gjysmëfinale të kësaj gare.

Për t’u kualifikuar në çerekfinale, në rundin e dytë të Grand Prixit të Turqisë, Krasniqi e mposhti me ippon xhudisten turke, Gulkader Senturk.

Krasniqi e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa për të ardhur deri në këtë pikë xhudistja serbe u detyrua të fitojë kundër rumunes Monica Ungueranunë rundin e parë dhe kinezes Yao Xiong në rundin e dytë.

Për herë të fundit, xhudistja kosovare fitoi medalje në Grand Slamin e Parisit, ku e mori medaljen e argjendtë, në shkurt të këtij viti. Ndërsa, në garat e tjera që u zhvilluan këtë vit, Krasniqi pushoi.

Krasniqi është garuesja e vetme që e përfaqëson Kosovën në këtë turne. Përveç garës për medalje, Krasniqi do të luftojë edhe për të fituar pikë për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Verore Tokyo 2020.

Javën e kaluar, Kosova i fitoi dy medalje të arta në Grand Prix të Gjeorgjisë para një jave, falë Nora Gjakovës dhe Loriana Kukës.