Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve

0
47

12 qershori shënon Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e shpalli këtë ditë për herë të parë në vitin 2002 si një mënyrë për të nxjerrë në pah gjendjen e këtyre fëmijëve.

12 qershori ka për qëllim të shërbejë si një katalizator për rritjen e lëvizjes në mbarë botën kundër punës së fëmijëve. Ndikimi i shpalljes së kësaj dite reflektohet në numrin e madh të ratifikimeve të Konventës nr. 182 të ILO mbi format më të këqija të punës së fëmijëve dhe Konventës së ILO Nr. 138 mbi moshën minimale për punësim.

Në botë mbi 215 milionë djem dhe vajza punojnë, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës.

Organizatat në mbrojtje të fëmijëve kanë hartuar plane konkrete me qëllim minimizimin e këtij fenomeni.

Organizata Botërore e Punës sqaron se jo të gjitha punët që kryejnë fëmijët dhe adoleshentët duhen eliminuar. Pjesëmarrja e fëmijëve ose e adoleshentëve në punë që nuk ndikon në shëndetin dhe zhvillimin e tyre personal, ose që nuk ndërhyn në shkollimin e tyre, në përgjithësi konsiderohen si pozitive, shkruan Koha net.

Kjo përfshin veprimtari të tilla si të ndihmosh prindërit rreth shtëpisë, të ndihmosh në një biznes familjar ose për të fituar para jashtë orëve të mësimit dhe gjatë pushimeve shkollore.

Këto lloje aktivitetesh kontribuojnë në zhvillimin e fëmijëve dhe në mirëqenien e familjeve të tyre.

Këto punë të lehta ndihmojnë fëmijët dhe adoleshentët në përgatitjen e tyre për të qenë anëtarë produktivë të shoqërisë gjatë jetës së tyre si të rritur.