Dita Botërore, më shumë vëmendje për fëmijët me autizëm

Në Ditën Botërore të Autizmit, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kërkon më shumë vëmendje nga të gjithë për fëmijët me çrregullime të spektrit autik.

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më datë 2 prill, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

“Dita Botërore e Autizmit është një ditë që na fton të gjithëve për më shumë vëmendje dhe përkujdesje për fëmijët me çrregullime të spektrit autik”, theksoi ministrja Manastirliu.

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç.

Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prej tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim./atsh