Dita e dytë e seancës për “Syri i Popullit”, aktakuza cilësohet e pakuptimtë dhe e montuar

0
202

Po mbahet seanca përfundimtare ndaj të akuzuarve për rastin që njihet si “Syri i Popullit”.

Të akuzuarit po e japin fjalën e tyre përfundimtare për t’u mbrojtur nga akuzat e Prokurorisë Speciale që përfshijnë përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale.

I akuzuari Behxhet Luzha tha se rasti është i montuar dhe se shpreson që gjykata t’i nxjerrë faktet reale dhe të vendosë.

“Unë kam qenë i angazhuar prej 78-ës në organizimet ilegale dhe prej 81-ës e këndej nuk më është hequr presioni me i lënë ato punë. Por, unë vazhdimisht kam vazhduar veprimtarinë time në shërbim të atdheut edhe jashtë shtetit, edhe atëherë kur kam ra në burg në Maqedoni”.

“Deri tash disa herë më janë montuar raste. Unë besoj se kjo gjykatë do t’i gjykojë faktet realisht dhe drejt sepse unë asnjëherë nuk jam përfshirë këtu dhe jam kundër vëllavrasje. Asnjëherë as në mendje nuk e kam shti një gjë të tillë”.

Ndërsa për të akuzuarin Halim Halimi ka folur avokati Ragip Zeneli që e quajti të pakuptimtë aktakuzën e ngritur për disa të akuzuar në këtë rast.

“Si është e mundur prokurori i shtetit me përvojë kaq të madhe me e vazhdu ni aktakuzë të tillë e cila është e përgjithësuar e cila asnjë person nuk e kap këtu përveç të akuzuarit Murat Jashari i cili siç dihet e ka pranuar vetë veprën?”.

“Në aktakuzë thuhet se “…kanë marrë vendim në mars të vitit 2017″. Por në cilën datë? Çfarë aksione?”.

“Aty thuhet edhe se kjo organizatë “Syri i Popullit” në bazë të planit të shkruar kanë pasur plan operativ me emra të koduar. Unë veç po dua të dij se cili është emri i koduar i të mbrojturit tim?”.

“Të gjitha faktet e Prokurorisë në këtë aktakuzë janë supozime dhe ju e dini se supozimet nuk mund të jenë prova në veprën penale. Unë nuk kam mundur ta deshifroj akoma se kush është kjo organizatë “Syri i Popullit” sepse as aktakuza nuk e ka deshifruar këtë”.

“Nëse hyjmë në Facebook e shohim se çfarë fyerje e kërcënime bëjnë aty atëherë i bie që të gjithë janë pjesë e kësaj organizate”.

Në rastin e njohur si “Syri i Popullit” aktakuza është ngritur për Sadri Ramabajën, Murat Jasharin, Ragip Sallovën, Avni Llumnicën, Sabit Berishën, Bexhet Luzhën, Halim Halimin, Bajrush Konjushën, Lirije Luzhën dhe Rexhep Topllanën.