Dita e të Dashuruarve-Shën Valentini

Sot është 14 shkurti, Dita e të Dashuruarve, Shën Valentini. Çiftet e dashuruar e konsiderojnë këtë ditë si të shënuar dhe me këtë rast ata i bëjnë dhurata njëri-tjetrit.

Çfarë është festa e Shën Valentinit në të vërtetë?

Festa e Shën Valentinit është një legjendë metropolitane që ka nisur të rrëfehet në fillim të viteve 1800 nga shkrimtarët evangjelistë të Anglisë së kohës së mbretëreshës Viktoria. Madje, Shën Valentini nuk është aspak shenjti i dashurisë.  Shën Rafaeli është më shumë se ai, mbrojtësi i zemrave të dashuruara. Ndërkohë që Shën Rafaeli është shenjtori i takimeve të këndshme, flirteve dhe romancave.

Megjithatë, festa që mban tashmë emrin e shenjtit të “gabuar”, festohetsi një festë dashurie në të gjithë botën. Në Evropë kjo festë ka mbërritur diku nga vitet ’60 dhe çuditërisht në vitin 1969,  kisha e hoqi shenjtorin që përfaqëson festën nga kalendari zyrtar i emrave të shenjtëve. Nëse do të shikoni me kujdes, 14 shkurti është dita kur përkujtohen shenjtorët Ciril dhe Metodi, të cilët shkuan të përhapnin ungjillin në Rusi, në shekullin e IX.

Historia e Shën Valentinit

Shën Valentini ka ekzistuar me të vërtetë, por ai nuk ka qenë ndonjëherë shenjti i dashurisë. Këtë tezë e mbështet shkrimtari Francesco Pacifico që ka shkruar “të parën histori të vërtetë” të Shen Valentinit, ku tregon se çdo gjë që ne dimë nuk është e vërtetë, përveç marketingut. Libri ka një ton sarkastik, por është krejtësisht i dokumentuar.

“Në kohën e Valentinit, në shekullin e III-të, martesa konsiderohej si diçka jo shumë e mirë. Perandori i atëhershëm i Romës, Klaudi II nxori një dekret, që ndalonte të rinjtë të martoheshin, burrat e martuar ishin ushtarë shumë të këqij”. Pra, si mund të mendohet që pikërisht në këto vite festohej dhe “shenjti i të dashuruarve”, pyet veten Pacifico. “Duhet menduar se kristianët e kësaj kohe e konsideronin si një ide pagane, madje një obsesion pagan riprodhimin dhe krijimin e një familjeje”, përfundon ai. Historia dhe legjenda e Shën Valentinit, nëse flasim për festën, sigurisht që është e dobishme për shumë njerëz. Për shembull, nëse tregu i luleve vlen katër miliardë dollarë në vit, gjysmën e këtyre parave, ata që kanë dyqane lulesh i fitojnë vetëm brenda një dite: në 14 shkurt. Atë ditë një në katër burra blen një diamant apo një bizhuteri. Këtë gjë e kanë filluar si të thuash anglezët, por ata që e dekretuan ishin amerikanët e viteve 1800.

Kjo festë mbërriti në Amerikë në vitet 1845 dhe nuk u quajt kurrë Shën Valentin, por thjesht Dita e Valentinit, dita e ndjenjave të mira dhe jo vetëm e dashurisë. Pati një sukses shumë të madh, gazetat e kësaj kohe flasin për “një epidemi” apo për një “mani kolektive”. Fëmijët u dërgonin “Valentinë” mësueseve, revistat u shpjegonin lëneshave (beqaret në atë kohë nuk ekzistonin) si të gjenin burrë me anë të një kartoline, burrat u blinin grave të tyre çokollata, të gjithë të bindur se në një fare mënyre po festonin dhe kënaqnin Zotin.

Por, sipas disa të tjerëve Shën Valentini ka një të kaluar prej 2000 vjetësh që nëpër shekujsh është festuar në tradita të ndryshme. Një nga traditat e praktikuara shekuj më parë, ishte për të gjetur një të dashur në ditën e të dashuruarve, për çka organizoheshin shorte. Në atë periudhë, ishin njerëz të veçantë ata që merreshin me këtë lloj riti.

Ndërmjetësi merrej vesh me vajzën, e cila duhet të shkruante emrin e personit që pëlqente në një copë letër dhe t’ia jepte ndërmjetësit që të merrte pjesë në short, dhe të fitonte njeriun e preferuar. Në shekullin e 16-të, pikërisht më 14 shkurt, si shenjë dashurie jepeshin dhurata të këtilla si; dorëza, çorape dhe shami. Në shekullin e 17-të, Puritenët amerikanë, që ishin një shoqëri e krishterë, me arsyetimin se është dita e të dashuruarve është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin. Edhe këtë here dashuria triumfoi, dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Dhuratat e asaj kohe ishin veshjet dhe një shishe verë. Në atë periudhë, 14 shkurti festohej në Francë, Itali, Gjermani etj.

Shën Valentini është një ditë që na pëlqen të ndjehemi pak më ndryshe se ditët e tjera dhe pse jo ta shprehim hapur dashurinë kundrejt personit që kemi në zemër.

Lini një Përgjigje