Ditë më të mira për sportin kosovar, miratohet Ligji për Sponsorizime (foto)

Deputetët e Parlamentit të Kosovës e kanë votuar PRO Ligjin për tatim mbi të ardhurat në Korporata, i cili e kompleton dhe e mundëson implementimin e Ligjit për Sponsorizim. Prej sot, sporti kosovar mund të ketë ditë më të mira.

Më në fund, sportistët e kanë marrë një lajm të mirë nga Parlamenti i Republikës së Kosovës.

Deputetët e Parlamentit, me shumicë votash, në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot, e kanë votuar Amandamentin numër 5 të propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu që ka të bëjë me Ligjin për tatimin në të ardhurat në Korporata.

Ky ligj e kompleton dhe mundëson implementimin e Ligjit për Sponsorizim, i cili shihet si shpëtim për sportin kosovar.

74 deputetë kanë votuar pro (1 prej tyre me dorë) dhe 2 të tjerë kanë abstenuar, ndërsa nuk kishte vota kundër.