DnV do t’i monitorojë të gjitha qendrat e votimeve më 6 tetor, përfshirë edhe veriun

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë Ekzekutive e organizatës FOL, e cila funksionon në kuadër të “Demokracia në Veprim”, ka folur rreth përgatitjeve që po bëhen për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Demolli tregon se sa qendra të vendvotimit do të monitorohen, numrin e vëzhguesve, si dhe ndarjen e zonave në ditën e zgjedhjeve.

“Lëvizja FOL është pjesë e organizatave jo qeveritare Demokracia në Veprim, ku këtë koalicion e përbejnë një numër i madh i organizatave jo qeveritare, të cilat më shumë së 10 vite organizojnë monitorimin e zgjedhjeve, qofshin ato lokale apo të nivelit qendror. Tri palë zgjedhjet nacionale kanë qenë të jashtëzakonshme prandaj mund të them se Demokracia në Veprim është e përgatitur t’i monitorojë zgjedhjet, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme sikur në këtë rast”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Ajo ka theksuar se DnV duke pasur një përvojë të madhe të monitorimit të zgjedhjeve e ka të zgjidhur edhe ndarjen e zonave.

“Të gjitha organizatat në gjithë territorin e Kosovës janë të strukturuara në atë mënyrë që të mbulohet tërë territori, secili vendvotim ku do të mbahen zgjedhjet, gjithçka është rregulluar tash e disa vite, kështu që ndarja e zonave përmes organizatave tjera është e ndarë shumë mirë”, pohoi ajo.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani gjatë intervistës për Telegrafin

Demolli ka deklaruar se DnV ka planifikuar që t’i monitorojë të gjitha qendrat e votimit.

“Kemi një mbulueshmëri 100 për qind të gjithë territorit të Kosovës, pra përfshirë edhe veriun përmes organizatave partnere”, tha ajo.

Në intervistën e dhënë për Telegrafin, drejtoresha e Lëvizjes FOL tregon edhe për daljen e qytetarëve në zgjedhje, gjendjen financiare e shumëçka tjetër.