“Do të vijmë në pushtet nëse rëndohet gjendja në vend. Prandaj, t’i kontribuojmë rëndimit të saj!”

Shkruan: Shukri Klinaku

Ka dy rrugë politike për të marrë opozita pushtetin në një vend.
E para, duke u angazhuar me program dhe në një garë vlerash për përparimin e vendit.
E dyta, duke u angazhuar për rëndimin dhe rrënimin e gjendjes në vend.

E para është e ndershme, njerëzore dhe gjithnjë ligjore; e dyta është e pandershme, jonjerëzore dhe jo gjithnjë ligjore.

E para është pa ndonjë rrezik për jetën apo shanset e qytetarit apo vendit; e dyta, çon nëpërmjet sfidash që kushtojnë me jetë njerëzish dhe humbje të shanseve të njerëzve dhe të vendit.

E para në përgjithësi garanton zhvillim progresiv të vendit (qoftë edhe të ngadalshëm); e dyta kërkon dhe angazhohet për rrënim dhe kthim prapa të vendit.

E para garanton zhvillim edhe të veprimtarive intelektuale dhe rekreative në vend (kultura, shkenca, arti e sporti); e dyta të detyron gjithnjë të merresh me aktivitetet për mbijetesë.

E para kërkon edhe bashkëpunim me pushtetin në çështjet të veçanta; e dyta përjashton çdo bashkëpunim, çdo fjalë miradije dhe çdo respekt për kundërshtarin politik.

E para kultivon politikanë intelektual dhe me integritet; e dyta kultivon vegla politike dhe militantë.

E para kërkon angazhim të sa më shumë mendjeve kritike për ndërtim dhe realizim të programit politik; e dyta kërkon sa më shumë vegla dhe militantë.

E para përdorë terminologji të matur, të saktë dhe shkollore në përshkrim të gjendjes dhe të figurës politike të kundërshtarit; e dyta përdor fjalorin më të rëndë të mundshëm të fyerjeve dhe sharjeve.

E para reflekton edukatë ndër qytetarë; e dyta degradon çdo vlerë. E para afirmon vlera, në mënyrë që të përfitoj secili qytetarë; e dyta ndanë njerëzit e pa vlerë (pushteti dhe përkrahësit e tij) dhe njerëzit me vlerë (opozita dhe përkrahësit e saj).

E para kërkon rotacionin (ndryshimin) e pushtetit për shkak se opozita është më e mirë, më demokratike, më kontribuuese; e dyta kërkon rotacionin (ndryshimin) e pushtetit për shkak se gjendja është rënduar, apo se vendi është rrënuar tashmë.

E para e forcon shtetin dhe vetëdijen kolektive për angazhim detyrues në të mirë të vendit; e dyta ushqen çdo mundësi për gabim të shtetit dhe rrënon vetëdijen kolektive.

E para kontribuon që dobësitë e pushtetit të mos rrënojnë shtetin; e dyta ndihmon rrënimin dhe sforcon tregimin me gisht kah pushteti si rrënuesi i vetëm i shtetit.

E para gjithnjë shpërfaqë anën e urtë dhe njerëzore të politikës dhe të të gjithë njerëzve; e dyta – herë shpërfaqë fytyrën e ujkut, herë të dhelprës, e herë të qengjit (të politikanëve dhe të njerëzve).

E para çon në kuptimin se edhe opozita ka obligim, madje edhe pushtet për të përparuar vendin dhe në parim e kupton se zgjedhjet mbahen brenda një periode të caktuar; e dyta çon në idenë se opozita është e zhveshur nga çdo pushtet, madje edhe nga çdo obligim shtetëror dhe zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë që të jetë e mundshme.

E para është angazhim politik i udhëhequr nga ideali për përparimin e vendit; e dyta është angazhim politik i udhëhequr nga motivi i sëmurë për të ushtruar me çdo kusht pushtet madhështor mbi të tjerët.

E para është transparente dhe e kuptueshme për të gjithë ata që angazhohen: e dyta është konspirative dhe e dirigjuar vetëm nga lideri apo edhe dy-tre të tjerëve rreth tij.

VENDI DO TË KETË VËSHTIRËSI NË PËRPARIM, NËSE OPOZITAT NË VAZHDIMËSI TENTOJNË ARDHJEN NË PUSHTET NËPËRMJET RËNDIMIT DHE RRËNIMIT TË GJENDJES NË VEND.