Dogana e Kosovës grumbulloi mbi 140 milionë euro për dy muaj

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës dy mujore të këtij viti (janar-shkurt 2019) të hyrat e përgjithshme të inkasuara kanë arritur vlerën rreth 141,2 milionë euro.

Sipas Doganës, këto të hyra kanë shënuar rritje prej 8,7 milionë ose 6,6 për qind më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

“Në anën tjetër, ndikim në të hyrat e grumbulluara nga Dogana gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe MSA, pakoja fiskale që i referohet lirimet nga taksat ne import për prodhuesit. Ndikimi në të hyra nga MSA përgjatë kësaj periudhe është rreth 7,5 milion € nga 5,2 milion € që ishte në dy mujorin e vitit të kaluar, derisa ndikimi në të hyra i pakos fiskale për prodhues rreth 10,8 milion € nga 7,6 milion € që ishte vitin e kaluar”, thuhet në komunikatë.

Sipas Doganës së Kosovës është rritur numri i kompanive prodhuese.

“Gjithashtu një zhvillim tjetër me rëndësi është edhe rritja e numrit të kompanive prodhuese që përdorin procedurat e autorizuara sipas pakos fiskale, vitin e kaluar kishim 252 kompani të autorizuara derisa tani ky numër ka arritur në 353 kompani të autorizuara. Përkundër te gjitha këtyre ndikimeve në të hyra e grumbulluara nga dogana, ne kemi vazhduar me performancë të lartë në inkasimin e të hyrave për periudhën raportuese janar shkurt 2019”, përfundon komunikata.