Dorëzohen disa kandidatë për polic, braktisin akademinë

Trajnimet e vështira në Vushtrri ,e kaluara e dyshimtë dhe shkollimi jashtë vendi janë disa prej arsyeve që disa prej kadetëve të pranuar për t’u bërë polic janë dorëzuar në gjysmë të rrugës. 

KALLXO.com mëson se për shkak të sfidave të rënda në trajnime, disa prej kadetëve tashmë kanë vendosur ti japin fund ëndrrës për tu bërë polic. Lajmi është konfirmuar edhe nga vet Policia e Kosovës.

“Pesë kadet policor në mënyrë vullnetare kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës. Arsyet e dorëheqjes janë personale dhe familjare, fitimi i bursës për studime jashtë vendit, pamundësia e vazhdimit të shkollimit etj”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të policisë E njëjta sqaron se ka edhe kandidatë të cilët janë larguar për shkak të verifikimit të të kaluarës. Lajmi që disa prej kandidatëve janë larguar është konfirmuar edhe nga drejtori i Akademisë për Siguri Publike.