Dramë në Amsterdam, Tottenham kualifikohet në finale në sekondat e fundit (video)

Në “Johan Cruijff Arena” ishte një dramë e vërtetë, ku Tottenham shënoi golin e kualifikimit në sekondat e fundit të takimit, duke përmbysur rezultatin, raporton Fokusi.info.

Ishte Ajax që kaloi shumë herët në epërsi, qysh në minutën e 5-të përmes kapitenit Matthijs de Ligt, që u shkëput më së larti në zonën e Tottenham, për të shënuar me kokë për 1 – 0.

Ajax e dyfishoi epërsinë në minutën e 35-të përmes Hakim Ziyach për 2 – 0 dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Pjesa e dytë solli një Tottenham krejt tjetër në fushë, që me dy gola të shpejtë arriti të barazonte rezultatin në 2 – 2.

Ishte braziliani Lucas Moura heroi i këtij takimi që shënoi het – trik. Fillimisht shënoi në minutën e 55-të, kurse në minutën e 59-të u përkujdes për të barazuar rezultatin, dhe për ta rihapur sfidën.

Vazhdimi i ndeshjes solli shumë raste shënimi, por portat mbetën të paprekura deri në minutën e 95-të që heroi i këtij takimi Lucas Moura shënoi për 2 – 3, për ta kualifikuar në finale Tottenham Hotspurin.

Ndeshja finale zhvillohet në Madrid më 1 qershor në mes të Liverpool dhe Tottenham.

https://streamable.com/2svwv