Drecuni thotë se Shqipëria “i ka shpallur luftë jozyrtare” Serbisë

0
441

“Një ushtrim i përbashkët mes Ushtrisë së Shqipërisë dhe të së ashtuquajturës FSK në Kosovë e Metohi ka për qëllim të frikësojë popullin serb”.

Kështu është shprehur Millovan Drecun, që është kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.

Ditë më parë, ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, bëri me dije se efektivë të batalionit të Mbështetjes Rajonale të Shqipërisë janë bërë bashkë me kolegët nga FSK-ja për një trajnim malor në Pomozatin të Kosovës.

Ai thotë se këto janë përgatitje për një provokim të mundshëm të dhunës në veri të Kosovës.

Drecun ka vlerësuar se ky është një demonstrim i papranueshëm i politikës së Shqipërisë së madhe, se Shqipëria nuk ka bazë për të dërguar pjesëtarët e Ushtrisë së saj në Kosovë – përveç nëse janë pushtues – dhe se, siç shprehet ai, “ajo çfarë po bën Shqipëria është e aq e rrezikshme sa që pothuajse mund përkufizohet me një shpallje jozyrtare të luftës me Serbinë”.

“Ata, me hyrjen e forcave të tyre, kanë okupuar një pjesë të territorit tonë. As OKB-ja e as NATO-ja nuk po reagojnë”, ka thënë Drecuni për televizionin serb “Pink”.

Ai ka potencuar se, sipas Rezolutës 1244të KS të OKB-së, e vetmja prezencë ushtarake në Kosovë mund të jetë ajo e KFOR-it.

“Si mundet KFOR-i të lejojë prezencën e një force ushtarake jashtë KFOR-it? Përse nuk i parandaluan ata? Kush e mori vendimin politik për të lejuar një gjë të tillë”, ka pyetur Drecuni.

Zyrtari serb shtoi se mesazhi i dërguar Beogradit thotë se Ushtria e Shqipërisë mund t’u ndihmojë njësiteve speciale të Prishtinës të përfundojnë spastrimin etnik të serbëve dhe t’i dëbojnë të gjithë ata nga Kosova.

“Një porosi shumë e rrezikshme po i dërgohet Serbisë, një që mund ta sjellë rajonin në vuajtje të reja luftarake. Mesazhi po na dërgohet neve se nëse ne provojmë të mbrojmë popullin serb, nëse dhuna ndodh në veri, Shqipëria do të dërgojë ushtrinë e saj dhe do të konfrontohet me ne, dhe se ne mund të presim Ushtrinë Shqiptare në malin e Kopaonikut, ku shtrihet vija administrative mes Kosovës dhe Serbisë qendrore”, ka deklaruar ai, transmeton Koha.net.

Ai vuri në dukje se regjimi i Shqipërisë është në të vërtetë prapa destabilizimit të Kosovës, siç ka qenë edhe prapa Maqedonisë në të kaluarën.

Drecuni tha po ashtu se është i brengosur me rrezikun e disa proceseve që ai thotë se janë të ndërlidhura, siç janë protestat opozitare në Serbi, që kanë paralajmëruar një tubim të madh më 13 prill, dhe “përgatitja e përbashkët e Ushtrisë Shqiptare dhe të së ashtuquajturës Forcë e Sigurisë së Kosovës (FSK) për një goditje të mundshme në veri të Kosovës”.

“Çka nëse disa veprime kundër popullit serb në veri të Kosovës e Metohisë përkojnë me nisjen e protestave të dhunshme në Beograd apo në qytete tjera të Serbisë? Cilat janë aktivitetet sekrete të disa liderëve të aleancës opozitare SzS (Dragan) Gjilas dhe (Vuk) Jeremiq në Shkup? Çfarë u diskutua me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, në Shkup?,” ka pyetur Drecun.

Parlamentari serb po ashtu theksoi se Zaevi ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me kryeministrin e Kosovës, Ramush Hardinaj dhe me shqiptarët, dhe pyeti nëse Gjilasi ishte “ndonjë ndërmjetës në bisedime, apo në përgatitje të disa planeve”.

“Përse Sulejman Uglanini së voni iu bashkua protestave të opozitës ‘Një në pesë milionë’ – i cili për vite me radhë ka pasur bashkëpunim sekret me shqiptarët? Çka nëse disa veprime kundër serbëve në veri të Kosovës ndërmerren në të njëjtën kohë me aktivitetet e paligjshme të dhunshme në Novi Pazar, në jug të Serbisë qendrore dhe në Beograd?”, pyet Drecuni.

Ai komentoi edhe deklaratën e presidentes kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, e cila tha se “demonstratat e dhunshme në Serbi mund të destabilizojnë tërë rajonin”. Drecuni tha se ishte spastrimi etnik të cilin Kroacia po vazhdon ta kryejë ajo që po e destabilizon edhe Serbinë edhe rajonin.

“Mbështetja e Kroacisë për terroristët shqiptarë, të ashtuquajturën FSK, destabilizon tërë rajonin. Kroacia është ajo që po tenton të destabilizojë Serbinë pa u brengosur për stabilitetin e rajonit – por nuk do t’ia dalë”, deklaroi kryetari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Millovan Drecun.