Drejtorët e arsimit s’i bindin mësimdhënësit ta ndërprenë grevën

Konfuzitet ka krijuar thirrja e komunave për mësimdhënësit që t’i kthehen mësimit, raporton KTV.

Të kundërtën, atyre po ua kërkon SBASHK-u.

Derisa, vetë arsimtarët thonë se komunat nuk kanë kompetencë që të kërkojnë ndaljen ose jo të grevës.

Drejtorët e arsimit në Gjilan e Ferizaj, kanë treguar se janë takuar me mësimdhënësit, por nuk kanë arritur t’i bindin ata që të ndalin grevën derisa kërkesat e tyre të realizohen.

Drejtori i Shkollës së Mesme Teknike “Pjetër Bogdani”, në komunën e Ferizajt, thotë se më të dëmtuarit nga kjo janë fëmijët, por që mësimdhënësit, shton ai, nuk po mund t’i bindin.

SBAShK-u ka ftuar mësimdhënësit për vazhdim të grevës deri në përmbushje të kërkesave.

Kjo është java e dytë qëkur mësimdhënësit kanë hyrë në grevë duke kërkuar ngritje të koeficientit, që i bie se rrjedhimisht do t’u rriteshin pagat.