Drejtori i Inspeksionit në Prishtinë tregon gjobat për qendrat e mbyllura të masazhit

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se lokaleve të mbyllura që kanë shërbyer si qendra masazhi u është vendosur gjoba në vlerë prej një mijë euro.

Tahiri në RTV Dukagjini ka thënë se në aksionin e ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë dhe disa institucione tjera kanë bërë inspektimet e nevojshme secili në lëmine e vet.

“Ne se Inspeksion Komunal kemi përgjegjësinë mbi pëlqimet sanitare që jepen për ato lokale. Mund të them se të gjitha këto lokale janë mbyllur në mungesë të pëlqimeve sanitare”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryeinspektori i Prishtinës ka thënë se pas mbylljes së këtyre lokaleve u është vendosur blomba dhe çdo tentim për largimin e blombave është vepër penale.

“Përveç gjobave në vlerë prej një mijë eurove, në kemi vazhduar me kallëzime penale për ata që kanë prekur bllombat apo shiritat e ndalimit të punimeve”.

Tahiri ka folur edhe për aksionet e Komunës kundër taksistëve ilegalë. Ai ka thënë se të gjithë ata që janë zënë duke operuar pa licencë janë gjobitur në vlerë prej 100 eurove.

“Qëllimi jonë nuk është gjobitja, por vetëdijesimi i tyre. Ata duhet të ndalojnë se vepruari kësisoj, sepse pas pak do të formohet edhe Policia e Kryeqytetit që edhe më shumë do t’ua ndalojë këtë veprimtari”.

Tahiri ka thënë se një pjesë e madhe e taksistëve ilegalë ditën punojnë në institucione, ndërsa natën punojnë si taksistë.

“Kaosi që po e shkaktojnë ata në Prishtinë po e dëmtojnë edhe Trafikun Urban, pasi ky i fundit a nevojë që stacionet të jenë me udhëtarë në mënyrë që të paguajë edhe kredinë që ka marrë”, tha Tahiri.