Drejtori që ia aprovoi vetes mbi 30 udhëtime jashtë vendit

0
435

Enis Berisha në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARRH), kërkesat për udhëtime zyrtare jashtë vendit vetë i aprovonte, gjë e cila përbën konflikt të pastër interesi.

Pas një mal shkeljesh, ai është kandidat për anëtar të Bordit të Telekomit të Kosovës.
Enis Berisha në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës (ARRH) vetë bënte kërkesë për udhëtime zyrtare jashtë vendit, vetë i aprovonte.
Gazeta “Zëri” gjatë një hulumtimi ka siguruar të dhëna se si Berisha ia kishte aprovuar vetes mbi 30 kërkesa për udhëtime zyrtare jashtë vendit, të cilat kapin vlerën prej rreth 23 mijë eurove.

Madje, në njërin nga dokumentet që ka siguruar “Zëri” shihet se Berisha në shkurt të vitit 2016 kishte bërë kërkesë për udhëtim zyrtar në Bruksel, përderisa kërkesa do të duhej të miratohej nga kryesuesi i Bordit. Por, meqë institucioni në atë kohë nuk kishte bord, Berisha ia kishte miratuar kërkesën vetes pa e marr një aprovim nga zyrtarët tjerë kompetentë të institucionit. “Mbi 30 vizitat jashtë vendit të ish-drejtorit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave prej vitit 2014-2016 i kanë kushtuar buxhetit mbi 23 mijë euro”, kanë thënë burime të gazetës.

Mediet po ashtu kanë raportuar më herët për një mal shkeljesh të ish-drejtorit të ARRH-së, Enis Berisha. Ky përpos pagës së drejtorit për dy vjet e shtatë muaj është paguar edhe si anëtar i Bordit të këtij institucioni, ndonëse bordi nuk ka qenë funksional.

Paga mujore e anëtarit të Bordit ka qenë 490 euro, ndërsa në total gjatë asaj periudhe Berisha ka marrë në mënyrë joligjore rreth 18 mijë euro.

Por, këtu nuk kanë përfunduar përfitimet e Berishës pasi ai ka marrë edhe pagën e drejtorit edhe 3 muaj e gjysmë pasi i kishte përfunduar kontrata e punës. Atij i ka përfunduar kontrata më 15 korrik të 2016-s, por  ka vazhduar të mbajë këtë post deri më 1 nëntor të 2016-s. Vetëm për këta tre muaj e gjysmë ish-drejtori i ARRH-së është pasuruar me jo më pak se 4865 euro.