Dromca nga njohja ime me Agim Ramadanin

0
335

Shkruan: Istref Klinaku

Në fund të qërshorit të vitit 1997 më erdhi për vizitë në kampin për të strehuarit politikë në Wandenswill afër Cyrihut kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi. Dolëm në këtë fshat të vogël, pimë kafe, dhe zhvilluam biseda të ndryshme me këtë bashkëvendës timin, që ishte edhe vëlla i shokut tim të shkollës (fshatrat ku jetonim ne në Obiliq ishin fqinje). Para se të ndahemi më tha:

– Pas disa ditësh është një tubim i LKÇK-së (Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës1) në klubin tonë në Cyrih, të cilin, besoj, do ta mbajnë Shukriu dhe Nebihu. Me ardhë me të marrë, a vjen?

– Po more; unë mezi pres. Edhe e shoh pak Cyrihun, – iu përgjigja.

Pas disa ditësh erdhi përsëri Xhafa, më mori dhe shkuam në tubim. Mua, si mysafir që isha, më nderuan duke më vendosur në një tavolinë të njëfarë bine të improvizuar në sallën e mbushur plot me bashkatdhetarë. Disa minuta para se të përfundonte tubimi, u hap dera dhe hyri një njeri me një shikim të rreptë dhe me një qëndrim të vendosur. Derisa ai u ul në një karrige, unë thashë vetë me vete:
– Kuuu, po skifter djalë qenka!
Pas përfundimit të takimit, u ulëm për kafe unë, Xhafa, dhe burri në fjalë. Xhafa filloi prezantimin.

– Ky është shefi jonë, Agim Ramadani.
Ata kishin një shoqatë të quajtur “Shoqata e intelektualëve shqiptarë të Zurich – ut”, të cilën e drejtonte, Agim Ramadani. Pas bisedave të zakonshme, Xhafa dha një propozim.

– Të takohemi të premten në banesën time. I thërras edhe disa shokë të tjerë, dhe bisedojmë më gjerësisht.
Duke buzëqeshur ai vazhdoi:
– Kemi shumë arsye, sepse Istrefin e kemi edhe deputet të Kuvendit të Kosovës nga komuna jonë, dhe sapo ka ardhur nga Tirana.

– Në rregull, iu them. Unë mezi pres të kaloj ndonjë orë jashtë kampit.
Pas disa ditësh u mblodhëm në banesën e Xhafës. Ishim 20 deri në 30 burra, disa prej të cilëve i njihja, sepse ishin nga anët tona. Në ballë e kishin ulur udhëheqësin e tyre Agim Ramadanin. Pranë tij më bënë vend mua.

Deri në orët e hershme të mëngjesit ka zgjatur ai takim. Unë thoja një fjali, Agimi vazhdonte me dy-tri të tjera duke i përforcuar pohimet e mia, të cilat ishin për nevojën dhe domosdoshmërinë e organizimit dhe përgatitjes së luftës çlirimtare. Pas një kohe, unë i drejtohem Agimit:

– More burrë i dheut – i them – Çdo pohim timin veç sa po e përforcon më shumë dhe thuajse jemi në të njëjtën frymë?, duke lënë të nënkuptohet pyetja se prej nga këto.
Ai tha:

– More burrë i dheut, unë e kam përcjellur në çdo hap LKÇK-në, sidomos gjykimin e Avniut, kam lexuar me vëmendje pothuajse të gjitha komunikatat tuaja. Kam lexuar pothuajse të gjithë numrat e gaxetës “Çlirimi” dhe mund të them para të gjithë juve se nuk u shtoj as nuk u heq asnjë pikë e asnjë presje atyre që thuhen aty.

Për një çast mbeta i befasuar dhe thashë:
– Atëherë duhet vetëm të punojmë.

Pas kësaj biseda zgjati edhe disa orë, ku u fol për shumëçka. Më së shumti foli Agimi, si profesionist, për mundësitë reale të organizimit, për formimin e ushtrisë dhe për domosdoshmërinë e luftës së armatosur, si rrugë e vetme për të fituar lirinë dhe bashkimin kombtar
Fjalën e fundit në tubim e foli ai dhe para pjesëmarrësve m’u drejtua:
– Që nga sot jam i gatshëm kurdo qe ke nevojë për oficer. Mjafton vetëm një thirrje në telefon.

Pjesëmarrësit u ngritën të gjithë në këmbë, dhe ata më të afërmit e tij, filluan të mahiten duke i thënë:
– Aaa shef, kaq shpejt, aa shef, kaq shpejt.
Në mesin e këtyre shakave fola edhe unë:
– Pritni burra!, se kam edhe diçka. Ata u ndalën dhe unë i thashë Agimit:
– Pas gjithë kësaj pajtueshmërie që patëm, të më thuash cingërroma telefonin kur ke nevojë për oficer, mua nuk më mbetet gjë tjeter veçse të të them se nuk do të të thërras kurrë.

Ai mu drejtua:
– Pse more burrë?!
– Sepse ti e di shumë mirë si formohet një ushtri çlirimtare dhe në qoftë se nuk bashkëngjitesh sot për formimin e saj, kur ajo të formohet dhe të rritet, vendet për oficer do të jenë të zëna. Kështu që nuk kam ku të të çoj.
Në mesin e të qeshurave, përfundoi takimi im i parë më serioz me Agim Ramadanin.

Pas disa ditësh, Agimi më mori në telefon dhe më tha:
– A mund ta pijmë bashkë edhe një kafe?!
– Po more, – i them unë, – gjithë do të pijmë kafe bashkë.

Nuk vonoi dhe erdhi më mori me makinën e tij dhe dolëm në një kafene, diku në periferi të Helvetia Platz. Ishte e diel, rreth orës 11:00. Kafeneja bosh, vetëm unë, ai dhe kamerieri që na shërbente. Agimi e nisi “muhabetin”:
– Pas krejt asaj bisede që kemi pasur atë natë, më së shumti më ka goditur fjalia e fundit që më ke thënë. Pajtohem plotësisht që ke të drejtë dhe kam ardhë të të them, që nga sot jam i gatshëm të punoj cfarëdo që thoni ju. Unë ia ktheva:
– Agim, faleminderit për këto fjalë, por duhet të thuash se do të fillojmë të punojmë së bashku, e jo çfarë them unë e cfarë thua ti. Vendimet që do të merren, natyrisht do të kenë hierarkinë e domosdoshme, por ato nuk duhet të vijnë si urdhra të individit, por si vendime të përbashkëta.
– Po, – tha, – ke të drejtë plotësisht dhe unë jam i gatshëm. Cila është procedura e mëtejme e anëtarësimit tim në LKÇK?

Unë i them:
– Që nga ky moment mund ta konsideroni veten anëtar i LKÇK-së. Nuk ka procedura të tjera, vetëm t’ia fillojmë punës.

Ai gati solemnisht tha:
– Është dita më e lumtur e jetës sime! Se kam marrë një vendim aq të rëndësishëm për mua, për familjen dhe shoqërinë time.

Për shumëkënd duket e pabesueshme, por lotët e tradhtuan. Kur e pashë ashtu, edhe unë nuk u përmbajta dot. Na kishte vërejtur kamarieri dhe erdhi me dy gota ujë e foli diçka gjermanisht me Agimin.
– Çfarë thotë? – e pyeta unë.
– Po më pyet se çka ka ndodhur.
– Po ti çka i the? – i them unë.
– I thashë që na ka vdekur gjyshi.

Kështu i thyem emocionet e atij vendimi të rëndësishëm.
Kaluan disa orë bisedë dhe në fund Agimi m’u drejtua:
– Tash do të shkojmë në banesën time për drekë, sepse unë e kam ditur që kështu do të përfundojë ky takim dhe ta kam hedhur, duke i thënë gruas sime që ta përgatis drekën, se do të vij me një shok.
– Qenka punë e kryer, – i thashë, – atëherë ecim kur të duash.
Pas disa minutash përfunduam te dera e banesës së tij. Ajo hapet dhe doli gruaja e tij.
– Kjo është gruaja ime, Shukrija, e cila ka kohë që e ndien vetën anëtare juaja, por kërkon një librezë. Ti e di që për mua nuk ka rëndësi libreza, po çka t’i bëj gruas.
– Pasi qenka ashtu puna, edhe pse nuk kemi libreza, sa për këtë, do ta sajojmë ndonjë, – i thashë unë.
Kemi qëndruar disa orë në banesën e tij, duke biseduar për poezinë dhe për pikturat që gjendeshin aty. Pimë një litër verë të kuqe bashkë dhe hëngrëm picat që kishte pregatitur Shukrija.
Që nga ajo ditë, Agimi nuk është ndalur së punuari me bashkatdhetarë për mobilizimin e tyre për bashkëngjitje në luftën e armatosur. Ai kishte shkuar në pothuajse të gjitha qytetet e Zvicrës, madje edhe nëpër shumë fshatra duke kontaktuar bashkatdhetarë, të cilët në mënyra të ndryshme i njihte. Mund të them lirisht që nga kjo kohë e deri në fund të marsit 1998 Agimi kishte kontaktuar më shumë njerëz se e gjithë dega e LKÇK-së në Zvicër së bashku.

Të rralla kanë qenë ditët kur nuk jemi dëgjuar në telefon; edhe më të rralla javët kur nuk jemi takuar një ose dy herë.

Pas një kohe, në një prej takimeve Agimi m’u drejtua:
– Kam një plan tepër sekret të cilin dua sot ta shpalos me ty. Duhet ta godasim burgun e Dubravës dhe t’i nxjerrim nga aty të burgosurit.

Unë për një çast u hutova, ndërsa ai vazhdoi të fliste, duke mos ditur se çfarë mendoja unë në ato çaste.
Unë thashë me vete se paskam humbur kohë me këtë njeri, se ky nuk qenka në vete, meqë unë nuk kisha njohuri elementare për veprime operative luftarake. Ai erdhi në përfundim se ky aksion do të ishte i rëndësishëm në dy drejtime:
– E para: do t’i nxirrte nga burgu njerëzit që do t’i shërbenin luftës, duke përmendur me emra: Avniun, Raifin, Naitin etj.
– Dhe e dyta: do t’i ipte goditje të madhe Serbisë, e cila goditje do të ndikonte po ashtu në mobilizimin e përgjithshëm për luftë.
– More Agim, – i them, – është punë e vështirë, gati e pamundur.
– Jo, është e realizueshme, – thotë ai. Detyra jote është të m’i gjesh 20 persona mbrenda në Kosovë. Për armatimin kujdesem vetë. Dhe na duhen një kamion e një traktor.

Ai ma mbushi mendjen dhe u morëm vesh që të punojmë në këtë drejtim. Disa herë gjatë takimeve tona e ka shtruar çështjen e kthimit të tij në Kosovë. Kur analizonim mirë e mirë, dilte që ende duhet të punojmë këtu krahas punëve të tjera që bëheshin në Kosovë, që t’i biem rrethanat në mënyrë që të gjithë të kthehemi në luftë. Agim Ramadani tashmë kishte krijuar treshen e vet të njerëzve të besuar me të cilët punonte vazhdimisht, për emrat e të cilëve unë ende nuk dija. Diku në fund të dhjetorit 1997 më tha:
– Duhet të shkojmë te një shok i imi, me të cilin mendoj të shkoj në Kosovë, dua që ta njohësh edhe ti dhe ta zyrtarizojmë këtë punë. Shumë shpejt u gjendëm në banesën e oficerit Hafir Hoxha, të cilin nuk e kisha parë më herët. Pas mikpritjes vëllazërore të tij dhe të bashkëshortes së tij, Sahadetes, duke pirë pijet që na ofroi ajo, Agimi iu drejtua Hafirit me këto fjalë:
– Ky është Istrefi, shoku jonë, për të cilin të kam folë edhe më herët; dhe sonte kemi ardhur që ta diskutojmë punën e kthimit tonë në Kosovë, ku duhet të na bashkëngjitesh edhe ti.

Nuk më kishte ndodhur herë të tjera të degjoj një përgjigjje aq të thjeshtë si ajo e Hafirit:
– A keni vendosur ju, – thotë ai, – është punë e kryer, vetëm të vazhdojmë bisedat për hollësitë.
Agimi kishte pasur plan që me vete ta marrë edhe Xhafën dhe kështu kishte formuar treshen që ai mendonte se ishte e mjaftueshme për momentin.

Ndërkaq, rreth vetes kishte krijuar shumë përkrahës, të cilët punonin në gjetjen e uniformave, armatimit, dokumenteve të udhëtimit etj.
Lufta e Prekazit, ku, besoj që si askund tjetër në histori të ketë ndodhur përballim deri në vdekje në mes të vendosmërisë së çlirimtarëve dhe barbarisë së pushtuesit, ka trandur opinionin publik mbarëshqiptar dhe ka rritur në mënyrë eksponenciale gatishmërinë e njerëzve, e sidomos të rinisë për t’u bashkëngjitur në luftën climitare, që tashmë e kishte marrë përsipër që ta udhëheqë UÇK-ja. Kjo, natyrisht, nuk kishte si të mos ndikonte edhe te ne që ishim në diasporë, konkretisht në Zvicër, në kuptimin e përshpejtimit të hapave që kërkonin rrethenat.

Pas disa ditësh u takuam me Agimin dhe pasi biseduam gjerë e gjatë dhe me pietet për epopenë e lavdishme të Prekazit, domosdo erdhëm në pikën e bisedës për kthimin e tij në Kosovë, kërkese kjo që Agimi e kishte bërë disa herë më heret.
– Nëse edhe tani nuk e kam aprovimin e LKÇK -së për hyrje në Kosovë, mendoj që duhet t’i ndajmë rrugët, sepse unë nuk mund të pres më, – më tha Agimi.

Natyrisht që unë i kisha marrë udhëzimet nga LKÇK -ja për kthimin e menjëhershëm në Kosovë të atyre që janë të gatshëm për luftë dhe i them:
– Po, Agim. E kemi udhëzimin e LKÇK-së për t’iu bashkuar luftës dhe i tregova në hollësi se kë duhet ta takojë në Tiranë për të vazhduar rrugën për në Kosovë.

-Eh, tash, – tha Agimi – pas disa ditësh do të përshëndetem me gruan dhe fëmijët e mi dhe do të dal për nja një javë ose dhjetë ditë diku në malet e Zvicrës për të jetuar në mënyrë që të adaptohem pak dhe të heq nga trupi jetën e qytetarisë së Cyrihut. Nga mali do të shkoj drejt në aeroport.

I shtërnguam fort dorën njëri-tjetrit dhe i dëshirova gjithë të mirat në këtë rrugë, duke uruar që të shihemi së shpejti në Kosovë.
Ky ishte takimi im i fundit me Agim Ramadanin.

Kah fundi i marsit 1998 ai së bashku me Hafir Hoxhën dhe Xhafer Gashin arritën në Tiranë dhe filluan punën në kampet për përgatitjen e luftëtarëve, të organizuara kohë më parë nga LKÇK -ja.

Agimi ishte njëri ndër njerëzit më të vendosur, më të përgatitur, më të përkushtuar që kam takuar në jetën time. Ai i njihte shumë mirë rrethanat politike, pranonte pa hezitim argumentin e tjetrit, por në të njejtën kohë ishte i ashpër ndaj atyre që i bishtnonin luftës.

Pas kësaj përvoje me Agimin kam pasur edhe dy telefonata me të.
Disa javë pasi Agimi kishte mbërritur në Tiranë, më mori në telefon bashkëshortja e tij, Shukrija, dhe më pyeti se a kam ndonjë kontakt me Agimin.
-Po, – i thashë. – Pse, cka ka ndodhur?
Ajo thotë:
-Desha t’i tregoni që i ka ardhur miratimi se është pranuar anëtar i Akademisë së Arteve me seli në Bruksel.
E mora menjëherë Agimin në telefon dhe i thashë:
-Urime, urime! Të ka ardhur konfirmimi se je pranuar anëtar Akademisë së Arteve.
Ai me tha:
-Eh, tash ajo është e një rendësie të vogël.

Biseduam goxha gjatë për problematikat e punëve atje dhe u përshëndetëm.
Herën tjetër biseduam diku në fillim të prillit të vitit 1999. Unë tashmë kisha rreth 6 muaj që isha në zonat e luftës në periferi të Prishtinës, kur cingërroi telefoni ynë satelitor. E mora telefonin në dorë dhe pyeta:
– Kush është?
– Jam Agim Ramadani – përgjigjet.
-Po ku je more burri i dheut! – i them. Na ka marrë malli me u pa.
– Edhe mua shumë, – tha Agimi, – dhe shumë shpejt do të shihemi. Kam disa punë këtu për t’i kryer dhe do të vij andej të bisedojmë gjerë e gjatë e të çmallemi.
Bisada ishte goxha e gjatë dhe biseduam për problemet e lufës në përgjithësi.

I dëshiruam njëri-tjetrit gjithë të mirat, me shpresën se do të takohemi shpejt.
Pas disa ditësh dëgjova në televizor lajmin e kobshëm se Agim Ramadani kishte rënë në fushën e nderit, në betejë me armikun.
Më ka mbetë një pikë në zemër që nuk munda ta takoj para luftës se Kosharës.

I ruaj kujtimet më të mira për Agim Ramadanin, tani Hero i Kosovës.
Do ta kujtoj me respekt të thellë përjetësisht.
Lavdi jetës dhe veprës heroike të Tij!