Dua Lipa kujton kohën kur nuk e pranuan në korin e shkollës – i kishin thënë se nuk dinte të këndonte (video)

Sot ajo është një prej artisteve më të arritura në tregun ndërkombëtar të muzikës.

Por rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë për këngëtaren shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.

Ndërsa ditëve të sotme, ajo krenohet me dy çmime “Grammy” e dhejtëra hite që numërojnë miliona klikime në YouTube, në fëmijërinë gjërat nuk ishin kështu.

Me gjithë dëshirën për të kënduar, asaj njëherë ia kishin prerë shpresa kur ishte në shkollë fillore, kur një nga mësuesit e saj nuk e kishte pranuar në korin e shkollës, duke i thënë se “nuk mund të këndojë”.

Këtë histori, Dua e tregoi edhe njëherë së fundmi gjatë intervistës për AMP Radio, kur një nga gazetaret e emisionit po lexonte fakte rreth saj, dhe e pyeti nëse është e vërtetë që mësuesit i kishte thënë asaj dikur kështu.

Dua duke u buzëqeshur tha: “Po, është i vërtetë ky fakt. Unë kam dashur shumë që të isha në korin e shkollës, por nuk më pranuan”.

Ndërkohë, moderatorët e emisionit vazhduan ta ngacmojnë artisten, duke i thënë që t’i dërgojë tashmë mësuesit që dikur nuk e kishte pranuar në kor, një album të sajin, për të parë se sa shumë ka arritur nxënësja e tij.