Dy letra “dashurie” për Kosovën!

Letra e Kryeministrit të Kosovës drejtuar ambasadorëve të shteteve të Quint-it është ideja dhe teza më e rrezikshme dhe më e dëmshme që jep një zyrtar i lartë i Kosovës.

Mund të jetë bërë nga një qëllim krejt i mirë, nga një qëllim që siç mund të shihet nga letra mendohet të jetë në funksion të një marrëveshjeje me Serbinë e kushtëzuar me taksën për produktet e Serbisë dhe në njëfarë mënyre për të detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën shtet. Në fakt ideja për një konferencë ndërkombëtare është antiteza e pavarësisë që hedhë poshtë krejt qëllimet tjera të përfshira në letër.

Në emër të ruajtjes së shtetit e pavarësisë, kjo ide apriori rrënon në themel shtetin e pavarësinë dhe gjithçka kthen në pikën zero. Tërësisht kundërthënëse në vetvete si letër, ideja për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën është goditja më e rëndë që dikush mund t’i bëjë Kosovës.

Kohë më parë, idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovës shkarazi e ka përmendur edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daҁiq, ndërsa para tij edhe dy zyrtarë joformal të Kosovës, z. Petrit Selimi dhe këshilltari i Presidentit, z. Bekim Ҫollaku.

Tani zyrtarisht, konferencë kërkon Kryeministri i Kosovës.

Një konferencë ndërkombëtare për Kosovën edhe veҁ si ide në kohën kur Kosova është njohur ndërkombëtarisht shtet i pavarur, e mohon pavarësinë dhe e kthen krejt statusin nga fillimi, duke mos ditur madje as cili është fillimi.

Në një konferencë ndërkombëtare, as kryeministri e askush tjetër në Kosovë nuk mund ta përcaktojë formatin e saj, nuk mund të imponojë përmbajtjen e saj e aq më pak vendimet që mund të merren.

Një konferencë, jo veç në raportet e sotme ndërkombëtare tepër të pafavorshme për Kosovën por edhe po të ishin rrethanat më të mira, derisa ne jemi shtet i pavarur e i njohur ndërkombëtarisht, është kërkesë për ҁ’njohje të pavarësisë.

A e dinë këta njerëz se edhe veç në ëndërr po të shfaqej kjo ide do të duhej frikësuar prej saj?!

A e dinë këta njerëz se edhe sikur këtë ide ta paraqiste Serbia apo Rusia do të duhej ngritur të gjithë në këmbë kundër saj?!

Jo, nuk e dinë!

Edhe më keq nëse e dinë!

Letra tjetër, ajo e Presidentit të Kosovës dërguar Presidentit të SHBA me të cilën shprehë devotshmërinë e tij për kompromise, tregon veҁ mjerimin e thellë politik e kombëtar të tij dhe politikës së Kosovës.

Për ҁka po ofron kompromis Presidenti ende pa kërkuar askush prej tij diҁka të tillë (së paku jo zyrtarisht), kush i jep të drejtën për deklarime të tilla, pse kompromise kur janë bërë aq shumë kompromise sa e kanë dëmtuar deri në palcë këtë vend ?!

Zot, ruaje këtë vend nga “dashuria” e politikanëve të saj!

Melihate Termkolli