Dy trajneret amerikane të basketbollit shprehen shumë të kënaqura me interesimin në Kosovë

Prej 16 deri më 21 maj 2019 në Kosovë kanë qëndruar dy trajnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ruthie Bolton dhe Chineze Nwagbo.

Ardhja e tyre është mundësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Departamenti i Shtetit Amerikan në Uashington në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Qëllimi i vizitës së tyre ishte motivimi i vajzave të reja për t’u marrë me basketboll, sensibilizimi i opinionit në Kosovë në mbështetje të sportit femëror, në këtë rast basketbollit, por edhe motivimi i përfshirjes së komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë në klubet kosovare të basketbollit.

Trajneret amerikane kanë pasur mundësinë që përvojat e tyre t’i ndajnë me vajzat e reja të moshës prej 8 deri në 16 vjeç në Graçanicë, Mitrovicë, Prizren, Ferizaj dhe Rahovec. Dhe për gjatë këtyre pesë ditëve sa ka zgjatur ky projekt kanë qenë 320 vajza që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet, e që ky numër për Federatën e Basketbollit të Kosovës do të thotë shumë për faktin se në aktivitetin e fundit të organizuar në Rahovec për këtë grupmoshë në mars të këtij viti numri i vajzave ka qenë 220 sosh dhe tani brenda dy muajve është rritur për 100 vajza.

Dy trajneret amerikane me këtë rast e kanë vizituar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku janë takuar me kryetarin Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Të dy trajneret amerikane janë shprehur shumë të kënaqura me interesimin e madh të vajzave për këtë aktivitet, por edhe me punën e madhe dhe serioze që FBK po e bën me gjenerata të reja, e në veçanti për masovizimin e basketbollit femëror.

Duhet theksuar se ky është vetëm një nga projektet e shumta që i kanë implementuar deri më tani së bashku. Federata e Basketbollit të Kosovës dhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Projekti i radhës do të realizohet në muajin qershor, kur një grup prej 20 personave do të udhëtojnë për në San Antonio të SHBA-së, dhe më pas në muajin shtator një grup prej 20 personave nga SHBA do ta vizitojnë vendin tonë.

Lini një Përgjigje