Dy zyrtarë e një ndërtues arrestohen në Fushë Kosovë

0
379

Policia e Kosovës ka arrestuar dy meshkuj dhe një grua në Fushë Kosovë për keqpërdorim të pozitës dhe punime ndërtimore të kundërligjshme.

Sipas njoftimit të arrestuar janë i dyshuari A.P., e dyshuara A.S. dhe i dyshuari i tretë M.V..

Në njoftim theksohet se dy të parët ishin persona zyrtarë që në kundërshtim me autorizimet e tyre kishin lëshuar leje ndërtimore për investitorin për ndërtimin e objektit shumë banesorë me afarizëm në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë dhe kishin dhënë lejen ndërtimore për investitorin tjetër duke mos i përfillur procedurat e parapara sipas Ligjit të ndërtimit dhe në kundërshtim me udhëzimet e administrative.

Në rastin e lejes për kompaninë e parë, veprimi i të dyshuarve ka shkaktuar dëm për banorët e dy objekteve ekzistuese duke mos respektuar distancën e ndërtimit.

“I dyshuari (M.V.) në cilësinë e pronarit të kompanisë (1), dhe ndërtuesit të objektit në rrugën Nënë Tereza në Fushë Kosovë edhe pse ishte pajisur me leje ndërtimi nga të dyshuarit në kundërshtim me Ligjin e Ndërtimit dhe udhëzimet administrative, i njëjti nuk ju ka përmbajtur as kësaj leje ndërtimi duke bërë tejkalime të lejes gjatë ndërtimit të objektit si dhe nuk ka përfillur urdhëresat e Inspektoratit të Ndërtimit për ndërprerjen e punimeve të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit me iniciale (A.P.) dhe (A.S.) me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, ndërsa i dyshuari me iniciale (M.V.) dyshohet se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent dërgohen në ndalim për 48 orë për procedura të mëtejme.