E theri infermierin në QKUK dhe arratiset, policia e kërkon të dyshuarin

Gjatë ditës së djeshme është plagosur me thikë një infermier në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Viktima është në tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë sipas mjekëve të QKUK-së.

Indeksonline mëson se personi i dyshuar që theri infermierin është U. A., teksa në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se ai pas kryerjes së veprës penale është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është duke u kërkuar nga policia.

Personi i njëjtë sipas burimeve të Indeksonline ka qenë i akuzuar edhe më parë për vepren penale “Tentim-vrasje”, ku i plagosur ka mbetur L.M, ndërsa me vendim të Gjykatës është liruar.

Pas këtij sulmi, i menjëhershëm ishte reagimi nga Sindikata e infermierëve të Kosovës, të cilët e dënuan ashpër këtë sulm.

Ata kërkuan nga Policia e Kosovës që të ndërmarrin masa të menjëhershme në mbrojtje të infermierëve, sepse sipas tyre ky nuk është rasti i parë që po ndodhë.