Edhe ATK-ja sfidohet nga Veriu

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë që luftimi i kontrabandës në Veri të Kosovës është sfidë për ta.

Ai në një intervistë për Ekonomiaonline ka thënë se ata po bashkëpunojnë me Doganën e Policisë në këtë drejtim.

“Çështja e luftimit të kontrabandës nuk është vetëm përgjegjësi e institucionit të ATK-së, dihet që të pjesa e kontrabandës më shumë është përgjegjësi e Doganës në këtë rast edhe përgjegjësi e Policisë, por të njëjtën kohë për çështjen e ekonomisë jo formale është kompetencë dhe përgjegjësi edhe e jona dhe ne jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë Murtezaj.

“Duhet ta pranojmë një fakt sikur se për secilin sektor, secilën fushë edhe për ne si ATK është një sfidë në vetvete për shkak se e dimë mënyrën e funksionimit të ekonomisë në atë pjesë të Kosovës edhe përkundër asaj ne duhet ta pranojmë faktin që ka tatim pagues që vazhdojnë të deklarohen e të paguajnë tatim pagues të komunitetit serb në këtë rast që vazhdojnë të të deklarohen të paguhen dhe t’i përmbajnë kërkesave ligjore të Kosovës”, tha ai.