Edhe Kamenica e sfidon Qeverinë, e hëna ditë pushimi

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka marrë vendim që e hëna me datë 30 nëntor, të jetë ditë pushimi në të gjitha institucionet e kësaj komune.

Sipas njoftimit, janë të obliguara të gjitha Drejtoritë Komunale të kësaj komune ta respektojnë dhe të veprojnë sipas këtij vendimi.

“Kryetari Qëndron Kastrati ka marr vendim që dita e hënë (30 nëntor 2020), do të jetë ditë pushimi në të gjitha institucionet e Kamenicës. Ky vendim vjen për nder të festës së 28 Nëntorit. Obligohen të gjitha Drejtoritë Komunale të Komunës së Kamenicës të veprojnë sipas këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicës.

Ndryshe, kryeministri Avdullah Hoti dje njoftoi se e hëna do të jetë ditë e rregullt e punës.

“Në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti Covid të ndërmarra nga Qeveria. Ky vendim vjen si solidarizim me të gjithë ata të cilët janë në linjën e parë të frontit me pandeminë Covid- 19, punëtorët shëndetësor, stafin mbështetës në institucionet shëndetësore, polici dhe inspektorat, të cilët janë duke punuar për disa muaj me radhë pa asnjë ditë pushimi”, ka shkruar Hoti.