Edhe kjo i ndodhi Vetëvendosjes: Gaz lotsjellës në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie

Gazi lotsjellës vazhdon të mos i ndahet Lëvizjes Vetëvendosje. Kësaj here është përdorur brenda strukturave të saj. Në Ferizaj, derisa po mbahej procesi zgjedhor për Kryesinë e Qendrës, ka pasur hedhje të gazit lotsjellës.

Enver Bajrami, që thotë se është aktivist i kësaj partie që nga viti 2010, ka pranuar për Koha.net se ishte ai që hodhi gazin lotsjellës në sallën ku po mbahej procesi. Si pasojë, sipas tij, procesi ka vazhduar në një sallë alternative. Ka thënë se arsye për hedhjen e gazit lotsjellës është se i është mohuar e drejta e fjalës. Ai ka thënë se “ngufatja e fjalës së lirë ka derivuar te ngufatja nga gazi lotsjellës”.

“Zgjedhjet e brendshme të filluara në vitin 2018, dje përfunduan të kontrabanduara ashtu siç kishin filluar, duke imponuar ‘zgjidhje’ dhe assesi zgjedhje. Kur hipokrizia bëhet normë e sjelljes, atëherë edhe pritjet për ta fshehur vdekjen e demokracisë së brendshme janë të kota. Pamjet e mëposhtme janë realiteti i reagimit kundrejt autokracisë së brendshme të instaluar kaherë në LVV”, ka shkruar ai në një letër drejtuar redaksisë së Koha.net. Ka shtuar tutje, se aty ku ndalohet e drejta themelore e shprehjes dhe fjalës së lirë dhe nëpërkëmbet dinjiteti i aktivistit si qenie politike, aty janë predispozitat e para të centralizimit dhe konformizmit drejt shoqërisë unitariste. “Falë pluralizmit koha e njëmendësisë po perëndon, ndërkohë që fatkeqësisht gazi lotsjellës si ‘mjet demokratik’ ende është zgjedhja e padëshiruar si nga përdoruesit po ashtu edhe nga ata që padëshirë dhe pafajshëm e kanë përjetuar”, ka shkruar ai më tej.

Në anën tjetër, Valon Ramadani, kryetar i VV-së në Ferizaj, ka konfirmuar rastin, duke thënë se gazi është hedhur nga anëtarë që s’ishin pjesë e procesit zgjedhor.

“Pavarësisht këtij incidenti të dielën në mbrëmje procesi ka vazhduar shumë mirë dhe është zgjedh një Kryesi shumë e mirë si asnjëherë më parë. Nuk ka pasur asnjë pakënaqësi, por atë incident e kanë bërë disa individë që nuk ishin pjesë e procesit të VV-së. Është zgjedhur Kryesia dhe Këshilli Drejtues me kuadro profesionale”, ka thënë Ramadani në një përgjigje për portalin Koha.net.

Ai ka thënë se VV-ja në Ferizaj “si asnjëherë më parë është duke u fuqizuar me kuadro të reja, ndërkohë edhe për katër pozita të reja kemi hapësirë për plotësimin e kryesisë”.

Kujtojmë që Vetëvendosje bashkë me dy partitë e tjera opozitare të mandatit të kaluar, AAK-në dhe Nismën, në shumë seanca parlamentare kishte përdorur gazin lotsjellës si mjet për të parandaluar votimin e demarkacionit me Malin e Zi. Madje deputetë të saj dhe të partive tjera opozitare të asaj kohe, kishin përfunduar në procese gjyqësore.