Efikasiteti i ulët i sistemit arsimor, burim i papunësisë në Maqedoni

Për shtatë muaj Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës dhe Politikë Sociale duhet të dalin me një plan konkret për harmonizimin dhe zbatimin e politikave për zhvillimin socio-ekonomik. E, që të arrihet kjo nevojitet parasegjithash që këto dy ministri të harmonizojnë politikat arsimore me politikat sociale, shkruan gazeta Koha.

Thënë ndryshe duhet të punohet një plan veprimi i cili do të rezulton me rritjen e shkallës së efikasitetit apo të shkallës së punësimit dhe përgatitjes së kuadrove në pajtim me nevojat e tregut të punës. Për shkak të këtyre përcaktimeve, MASH dhe MPPS kanë formuar grupet sektoriale të punës “Arsimi, punësimi dhe politika sociale”, të cilat do të mundësojnë koordinim më të mirë mes institucioneve dhe donatorëve në nivelin politik dhe teknik.

Maqedonia ka koeficient shumë të ulët të efikasitetit të sistemit arsimor dhe kjo shpjegohet me pritjet e gjata në listat e punësimeve të personave të diplomuar. Gjysma e të rinjve, gjegjësisht 46 për qind e personave të moshës nga 19 deri 30 vjeç janë në kategorinë e të papunëve.

Përveç mungesës së vendeve si nëpunës shtetërore, një kontribut në rritjen e shkallës së pa punësisë për këtë kategori ka edhe prirja e tyre të mos punësohen në sektorin privat apo të hapin biznese individuale. Të gjitha hulumtimet në këtë temë tregojnë se pjesa dërmuese e të rinjve preferojnë punën në administratë publike, respektivisht në institucionet shtetërore. Mundësitë e limituara për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik, krahas mosgjenerimit të vendeve të punës, rrisin edhe shkallën e papunësisë, ndërsa pa vënien e komponentit të efikasitetit dhe efiçencës në sistemin arsimor, nuk është i mundur as ndryshimi i situatës.

Në MASH, thonë se janë duke e trajtuar me seriozitet çështjen e efikasitetit dhe se këta elementë janë inkorporuar edhe në Strategjinë gjithëpërfshirëse arsimore (2018-2025) nga niveli i arsimit parashkollor në nivelin e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë. Me theks të veçantë konsiderohet i rëndësishëm niveli i arsimit të mesëm profesional dhe universitar, të cilët në masë të gjerë duhet të mbajë barën e kualifikimit të personave dhe aftësi profesionale dhe shkathtësi të cilat i nevojiten tregut të punës. Jo rastësisht pjesa dërmuese e 500 universitete të ranguara më mirë në Listën e Shangait, janë në shtete me GDP të lartë dhe ku 90 për qind të diplomave i thith tregu i punës në afatin kohor prej jo më shumë se 12 muaj. Sakaq në Maqedoni, presin me vite të tëra në listat e punësimeve deri edhe kuadro të cilët kanë magjistruar.

Normale, që në raport me numrin e përgjithshëm të papunësisë, përqindjen më të madhe e zënë kategoria e personave të paarsimuar apo të pakualifikuar (41.884 vetë) dhe pastaj vijnë në radhë personat me shkollim të mesëm (28.043). Por është shqetësuese masa e të papunëve me arsim të kryer të lartë (12.054).
Sipas të dhënave të publikuar vjet nga Agjencia e Punësimit krahas këtyre të pa punëve janë edhe një kategori tjetër ajo e personave me arsim pasuniversitar edhe atë 863 magjistra dhe 38 doktorë të shkencave.
Problemi qëndron në atë se për rreth 83 mijë të papunë në Maqedoni, në vitin 2017 ofroheshin vetëm 8 mijë vende të punës. Kjo është padyshim treguesi negativ mbi efikasitetin e sistemit arsimor dhe politikave sociale në Maqedoni, të cilat kanë rezultuar me një shkallë të lartë të papunësisë, prej 22.6 për qind që në termat ekonomik përshkruhet si shkallë e lartë e mosharmonizimit të ofertës së sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës.

Me synimin për të ndryshuar situatën, para vitit 2019 MASH-i dhe MPPS-ja, sikurse janë zotuar duhet të dalin para Qeverisë me planin konkret si të risin shkallën e efikasitetit të sistemit arsimor, pra si të sigurojnë vende pune për ata që marrin kualifikime dhe specializime përkatëse. Kjo në të njëjtën kohë do të imponojë edhe nevojën e vetë rregullimit të institucioneve arsimore, të mesme dhe të larta, për numrin e nxënësve/studentëve të regjistruar dhe programeve mësimore/studimore që duhet të realizojnë ata./koha.mk/