Ekipi negociator ka mbetur “pa punë”, por jo edhe pa paga

Ekipi negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë, aktualisht ka mbetur pa punë për shkak të mosvazhdimit të dialogut në Bruksel, i cili ka ngecur dhe është bllokuar.

Anëtari i Ekipit negociator, Dardan Gashi, i cili është edhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, tha për Radion Evropa e Lirë se anëtarët e delegacionit që kanë pasur angazhime rreth Ekipit, i kanë kryer punët e tyre, e disa të tjerë janë ende duke punuar.

“Realisht nuk ka ndonjë ndryshim, puna praktikisht është pezulluar pasi që nuk kemi palën tjetër. Po ashtu e di se janë duke u bërë përgatitje, do të thotë në aspektet teknike të krijimit të infrastrukturës me këshilltarë dhe staf përcjellës”, tha Gashi.

Sidoqoftë, me formimin e këtij Ekipi, Qeveria e Kosovës kishte ndarë edhe mjetet financiare për funksionimin e tij.

Nga shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës për Ekipin negociator, në vlerë prej 300 mijë eurosh [mjete të ndara nga rezervat shtetërore], deri më tani janë shpenzuar mbi 34 mijë euro.

Nga këto mjete, sipas Ilir Cacaj i cili është zëvendëskoordinator i zyrës administrative të Delegacionit shtetëror për bisedime, mbi 22 mijë euro janë shpenzuar për udhëtime (bileta aeroplani për udhëtime në Bruksel).

Sipas tij, më shumë se 3 mijë e 400 euro janë shpenzuar për akomodim dhe ushqim (punëtori në Tiranë) për të gjithë anëtaret e Delegacionit dhe stafit përcjellës.

Cacaj tha se 8mijë e 530 euro janë shpenzuar për paga të punëtorëve në zyrën administrative, ku aktualisht janë të punësuar 12 persona. Të punësuarit në këtë zyrë, vijon ai, kanë filluar të marrin pagë nga muaji prill.

“Prej fillimit të muajit prill është aktivizuar edhe stafi i zyrës administrative për Delegacionin shtetëror, që janë gjithsej 12 persona”, tha Cacaj.

Ndërkohë, Dardan Gashi ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë se anëtarët e Qeverisë, që bëjnë pjesë në Delegacionin apo Ekipin negociator, nuk paguhen nga mjetet e ndara të Qeverise së Kosovës për Ekipin negociator.

“Ne si anëtarë të Delegacionit nuk marrim asnjë pagesë shtesë, kurse vetëm stafi teknik dhe këshilltarët e dy bashkëkryesuesve do të marrin paga”, tha Gashi.

Në anën tjetër, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se përpos takimeve të pakta që Delegacioni ka zhvilluar me zyrtarët e Bashkimit Evropian, përderisa procesi i dialogut nuk po vazhdon, nuk po shihet as angazhimi i Ekipit negociator.

Ajo thotë se nuk ka informacion formal, zyrtar të ardhur nga Delegacioni shtetëror, për të treguar në fakt se cili është tani angazhimi i tyre, çfarë janë duke bërë, cilat janë përgatitjet të cilat po i bëjnë.

“Mbetet të thuhet se nuk ka transparencë në kuptimin e asaj që ky Delegacion nuk ka shkuar në Kuvendin e Kosovës për të raportuar për takimet që ka pasur, apo edhe tani nuk është se i është adresuar Kuvendit të Kosovës për të ndarë me deputetët planet, apo një agjendë se si çështjet duhet të ecin përpara”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se Ekipi negociator, jo që nuk është transparent për çështje politike, por as për ato teknike nuk po jep llogari se çfarë janë duke punuar, e kush është duke punuar.

“Procesi i dialogut është një proces shumë delikat, është një proces i rëndësisë së lartë shtetërore. Patjetër është më se e mirëpritur, por edhe e domosdoshme që të paktën këto çështje të cilat janë të aspektit teknik të jenë transparente”, tha Krasniqi.

Anëtari i Ekipit negociator, Dardan Gashi, tha se deri më tash nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga Kuvendi për të raportuar, pasi që siç tha ai, nuk ka pasur ngjarje për të raportuar.

“Nuk e di se çka kemi pasur të raportojmë, nëse Kuvendi na fton ne jemi të gatshme në çdo kohë të raportojmë. Nuk kemi pas takime me palën serbe dhe rrjedhimisht nuk kemi pasur çka të raportojmë”, tha Gashi.

Në Ekipi negociator të cilin e ka vendosur Kuvendi i Kosovës bëjnë pjesë 11 persona dhe aty janë përfaqësues nga partitë politike në koalicionin qeverisës dhe të një subjekti politike opozitar.

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje,kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij Ekipi.

Përfaqësues të këtyre partive nuk e kishin pranuar ftesën e presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, e as të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që t’i bashkohen Delegacionit shtetëror.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, theksojnë se Ekipi negociator i Kosovës është jolegjitim, derisaLigji për dialogun, është antikushtetues.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të jetë i bllokuar që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për imponimin e taksës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Ky vendim është konsideruar nga Serbia si i papranueshëm dhe tani, Beogradi e ka vënë kusht shfuqizimin e kësaj takse doganore për kthim në tavolinën e bisedimeve.

Lini një Përgjigje