Ekipi nga Kosova triumfon në garën “Smart Data in Health” të mbështetur nga SIEMENS dhe Novartis

11 studentë, inxhinierë dhe specialistë të mjekësisë nga Innovation Centre Kosovo (ICK), ishin pjesë e garës “Smart Data in Health” që u mbajt në Erlangen, me organizim të Medical Valley, Siemens Health dhe Novartis, prej 5-7 Korrik 2019.

“SIEMENS Health, Novartis dhe Medical Valley kanë zgjedhur produktin e zhvilluar nga Kosovarët si fitues të kategorisë “Health Pre-Check”. Hamster (produkti), ndihmon kompanitë e sigurimeve në Gjermani të bëjë një paravlerësim të gjendjes shëndetësore të klientëve potencial, dhe ofron përllogaritje të saktë karshi mbulueshmërisë së sigurimit shëndetësor.

Pjesë e ekipit nga Kosova ishin Metihe Kastrati, Teuta Morina, Bardh Krasniqi, Granit Beka, Ilirjana Musaj, Toske Kryeziu, Artin Bajçinca, Vigan Ramadani, Ilir Hoxha & Arber Lama. Në këtë garë morën pjesë mbi 100 ekspertë nga e mbarë bota”, thuhet në njoftimin për media.

Pjesëmarrja e ekipit nga Innovation Centre Kosovo u mundësua nga GIZ Kosovo dhe Ambasada e Suedisë si mbështetëse e ICK-së. /Telegrafi/