Ekskluzive, Klinaku: Ka përfunduar e nuk kthehet më koha e ndarjes së Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku në një intervistë ekskluzive për portalin “Fokusi.info” ka folur për çështjen e reciprocitetit në mes të shqiptarëve,  për demarkacionit me Malin e Zi dhe  Gjykatën Speciale.

Ai ka deklaruar se “ka përfunduar koha e ndarjes së Kosovës dhe nuk kthehet më. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka pse të bisedojë me askënd për çfarëdo ndarje”, ka thënë ai. Klinaku ka thënë se “është i zhgënjyer me veprimet e qeverisë sonë në lidhje me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Demarkacioni duhet të hiqet nga agjendat ditore pozitë e opozitë”.Ndërkaq, lidhur me Gjykatën Speciale, Klinaku është shprehur se “që nga fillimi i kësaj çështjeje ne kemi qenë kundër, sepse kemi konsideruar dhe vazhdojmë të konsiderojmë se çdo drejtësi selektive është në vetvete një padrejtësi”.

Intervista e plotë e Avni Klinakut:

Fokusi: Në media po qarkullojnë informacione se presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj në SHBA kanë diskutuar për ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë, gjegjësisht për këmbimin e territoreve. Kjo ide është përkrahur nga Serbia, Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

Nëse kjo iniciativë është e vërtetë, si e vlerësoni këtë, pasi që Lëvizja për Bashkim ka kërkuar që të ketë shkëmbim territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë përmes opsionit: tri komunat në Veri të Kosovës t’i bashkoheshin Serbisë, ndërsa Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i kthehen Kosovës?

Avni Klinaku: Natyrisht që nuk e di se çka kanë biseduar krerë tanë institucional me krerët e Serbisë, por e di me saktësi se koha e ndarjes së Kosovës ka përfunduar dhe nuk kthehet më! Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka pse të bisedojë me askënd për çfarëdo ndarje. Sa i përket shkëmbimit të territoreve të Kosovës Lindore me Veriun e Kosovës edhe ju si shumë të tjerët e keni gabim kur thoni se LB është për shkëmbim! E kemi përsëritur shumë herë e dua ta theksoj edhe tani se shkëmbimi i territoreve të populluara është një parim antidemokratik e antinjerëzor, sepse gjatë këtij procesi merren në shqyrtim aspekte të ndryshme si interesat shtetërore, madhësitë e territoreve, pasuritë e tyre, pozitat gjeografike etj., por neglizhohet vullneti i popullatave respektive. Dhe kjo nuk paraqet zgjidhje. Prandaj kemi qenë e jemi kundër një politike të tillë. Kemi qenë, jemi e do të punojmë edhe në të ardhmen për reciprocitet të plotë në mes të shqiptarëve që jetojnë trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe serbëve që jetojnë në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Kjo qasje i ka munguar shtetit tonë në politiken e jashtme ndaj Serbisë dhe këtu qëndron gabimi thelbësor edhe i bisedimeve Kosovë-Serbi.

Duke e ditur rëndësinë e madhe të kësaj çështjeje, LB, përveç konferencave, deklaratave, aksioneve të ndryshme e demonstratave ka hartuar edhe platformë të veçantë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Madje për bisedimet Kosovë-Serbi ka hartuar edhe agjendën e bisedimeve, të cilat do të duhej të zhvilloheshin krejt ndryshe dhe do të sillnin rezultate shumë më të mëdha e me të mira.

 Fokusi: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka qenë kritikues i madh i Marrëveshjes për Demarkacionin sa ishte në opozitë. Në ditët e para të marrjes së detyrës në qeveri, ai e shkarkoi Komisionin Shtetëror për Demarkacion dhe në vend të tij caktoi ata që e kishin kundërshtuar këtë proces. Në krye të komisionit u vendos Shpejtim Bulliqi, i cili me ekipin e tij nxjerri një version të ri të demarkacionit. A mendoni se komisioni i ri ka sjellë ndonjë risi sa i përket kësaj çështjeje?

 Avni Klinaku: Jam thellësisht i zhgënjyer me veprimet e qeverisë sonë në lidhje me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Çështja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi i ka kaluar të gjitha procedurat e rregullta shtetërore  dhe është nënshkruar nga ana e qeverisë sonë dhe i vetmi veprim ligjor dhe i drejtë është sjellja e tij në Kuvend. Demarkacioni duhet të hiqet nga agjendat ditore pozitë e opozitë. Ai është stërzgjatur e stërmanipuluar nga të gjithë e në kurriz të qytetarëve. Marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin me Malin e Zi duhet urgjentisht të sillet në Kuvend e të ratifikohet, apo të mos ratifikohet. Mendimi im dhe vota ime do të shkonte kundër kësaj marrëveshjeje, sepse, pas analizave të gjithanshme, rezulton se parimi i tretë i paraparë edhe nga komisionet ndërshtetërore Kosovë-Mal i Zi, parimi i ushtrimit efektiv të sovranitetit mbi territorin kontestues nuk është kryer si duhet. Kështu, me mosratifikim të marrëveshjes, do të hapej kontesti ndërkufitar me Malin e Zi dhe çështja domosdo do të duhej t’i nënshtrohej një arbitrazhi ndërkombëtar. Në fund të fundit kështu edhe rekomandoi Komisioni Evropian në qëndrimet tij të fundit. Çdo vonesë tjetër është vetëm edhe një përpjekje për manipulimin e qytetarëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

 Fokusi: Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic ka deklaruar se Demarkacioni është temë e kryer për Malin e Zi. Marrëveshja është e nënshkruar nga të dy shtetet, kurse Mali i Zi e ka ratifikuar në parlament këtë marrëveshje. Mali i Zi e ka kryer obligimin e vet”. Çka mendoni ju për këtë?

Avni Klinaku: Po, përderisa kjo çështje nuk shkon në Kuvendin e Kosovës, Kryeministri i Malit të Zi ka plotësisht të drejtë. Ata i kanë përfunduar të gjitha proceduarat. Edhe ratifikimin dhe nuk kanë asnjë mundësi të bëjnë çkadoqoftë. Vetëm pas rrëzimit të marrëveshjes nga ana jonë, vetëm atëherë hapen mundësitë tjera. Vetëm atëherë edhe Mali i Zi është aktor dhe duhet t’i bëjë veprimet e nevojshme për përfundimin e kësaj çështjeje.

Fokusi: Qëndrimi i Lëvizjes për Bashkim ka qenë që Marrëveshja për Demarkacionin të procedohet në Kuvend dhe pastaj kuvendi ta rrëzojë këtë marrëveshje, e cila do të hap rrugë për rinegocimin e saj? A ka ndryshuar qëndrimi i LB-së për këtë çështje, apo ende e përkrah idenë që marrëveshja të rrëzohet nga kuvendi dhe të krijohet kontest i ri me Malin e Zi?

Avni Klinaku: Jo, nuk kemi ndërruar qëndrim! Mendojmë se kjo është e vetmja rrugë! Të tjerat, si formimi i komisioneve të reja, idetë “kreative e shpëtimtare” etj. vetëm sa e mjegullojnë çështjen e na vonojnë kot!

Fokusi: Si i vlerësoni iniciativat për  shfuqizimin e Ligjit për Gjykatës Speciale: Peticionit të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe iniciativës së 43 deputetëve për thirrjen e një mbledhjeje urgjente të Kuvendit?

Avni Klinaku: Përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kanë qenë një veprim shumë jo serioz i institucioneve të Kosovës. Të vetmit që kanë mundur të arsyetoheshin në këto përpjekje kanë qenë veteranët se kanë dashur që t’i qojnë deri në fund qëndrimet e veta. Përndryshe shteti që ka marrë vet vendime ligjore e kushtetuese e madje edhe me implikime ndërkombëtare (e dini me çfarë tensionesh e çfarë presionesh është bërë kjo punë, madje duke u përpjekur t’i bindin edhe të pabindurit se kjo është në të mirën e Kosovës, se “pastron luftën e UÇK-së’ etj!) nuk mund të tërhiqet njëanshëm e pa pasoja  nga obligimet e tilla.

Fokusi: Si e vlerësoni tërheqjen e udhëheqësve shtetëror të Kosovës: Thaçit, Haradinajt e Veselit kundër shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale?

Avni Klinaku: Tërheqja nga përpjekjet për shfuqizim të Gjykatës Speciale për mua nuk kanë qenë të papritura, madje që nga fillimi e kam ditur se krerët tanë as që e kanë përnjëmend një gjë të tillë. I dinë ata pasojat për vetën e tyre nga këto veprime dhe nuk mund të shkojnë tutje. Reagimi i ndërkombëtarëve që ne e kemi parë ka qenë edhe më i fuqishëm dhe më kërcënues në takimet e mbyllura. Ende ne nuk kemi udhëheqës që për një çështje të përgjithshme apo shtetëror sakrifikojnë veten e tyre!

Përfundimisht, mendoj se nuk është koha për përpjekjen për shfuqizim të kësaj gjykate, por është koha të përballemi me pasojat politike që do t’i vijnë Kosovës nga veprimet e saj.

Fokusi: Cili është qëndrimi i Lëvizjes për Bashkim lidhur me Ligjin për Gjykatën Speciale?

Avni Klinaku: Që nga fillimi i kësaj çështjeje ne kemi qenë kundër, sepse kemi konsideruar dhe vazhdojmë të konsiderojmë se çdo drejtësi selektive është në vetvete një padrejtësi. Edhe Gjykata Speciale duke u marrë ekskluzivisht me krimet e mundshme të UÇK-së, respektivisht eksponentëve të saj, që, në fund të fundit, kanë qenë në anën e viktimës, është një përpjekje e padrejtë për t’i barazuar agresorin me viktimën. Kjo natyrisht i ka pastaj dhe implikimet politike, të cilat do të jenë shumë të dëmshme për Kosovën.

Lini një Përgjigje