EKSKLUZIVE: Kurti i kërkoi Mustafës ta rrisin në 16 numrin e ministrive dhe t’i ndajnë bordet politike

0
305

Pazaret politike për ndarjen e pushteteve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk po mund të përfundohen, marrëveshja e koalicionit mes dy partive nuk po mund të arrihet për pozitat e larta shtetërore, shkruan Gazeta Metro.

Gazeta Metro nga burimet e saja brenda takimit mes dy liderëve të partive, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës ka siguruar ofertat që janë thënë në tavolinën e bisedimeve.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duket se tani ka pësuar përmbysje të shpejtë të qëndrimeve politike, pasi i zënë ngushtë nga ‘standardet’ që vetë i kishte proklamuar, ai tashmë ka filluar me shpejtësi të madhe të tjetërsohet.

Në fillim ishte shumë këmbëngulës në reduktimin e dikastereve qeveritare, madje, aq shumë saqë edhe propozimin e LDK’së për ta ndërtuar një qeveri me 16 ministri e kishte hedhur poshtë, duke këmbëngulur vetëm në 12 ministri.

Këto 12-të i kishte pështjellur aq shumë saqë një ministri tani do i duhet të menaxhojë edhe me mjekët, edhe me boksierë e karateistë në një vend të gjitha, ose ato i ka bërë kategori të veçantë ministrore “Transferet”, duke e bërë këtë ministri të duket sikur është “Western Union”.

Megjithatë, i bllokuar pas veprimeve politike të cilat vetë i kishte ndërmarr, Kurti mësohet se mbrëmë i ka kërkuar Mustafës që ta rrisin në 16 numrin e ministrive, si dhe të merren vesh edhe për bordet politike të ndërmarrjeve publike dhe për bartësit e agjencive shtetërore.

“Kurti ka kërkuar Mustafë që ta rrisin në 16 numri i ministrive të rritet dhe t’i ndajnë bordet politike”, thotë burimi i Metros brenda takimit.

Por, Mustafa i cili me herët ia kishte bërë këtë propozim Kurtit, mësohet se ka refuzuar, duke i thënë që është tërësisht joserioze të shkohet me këtë formulë tash, të cilën më herët vetë e kishte refuzuar.

Ndërkaq, për bordet politike dhe bartësit e institucioneve të tjera mësohet se i ka thënë që do të diskutojnë pasi të arrijnë marrëveshje për ministritë.

Siç dihet, përmes një videomesazhi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ditë më parë e kishte prezantuar edhe gjysmën e ministrave të qeverisë së tij, por vetë si kryeministër në ardhje po heziton me të madhe që ta ndjek procedurën ligjore dhe të mandatohet për formimin e qeverisë së re..

Kujtojmë se sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, i ka kërkuar përmes një letre Albin Kurtit që sa më shpejt të tregon nëse dëshiron të bëhet kryeministër apo dëshiron ta refuzon atë.