Ekspertja britanike dëshmon për krimet serbe në Krushë të Madhe

Profesoresha e anatomisë dhe e antropologjisë forenzike, Sue Black (Sju Bllek), është eksperte botërore në zë për identifikim të viktimave të vrasjes dhe të katastrofave natyrore. Ajo  kishte punuar në Kosovë që në qershor të vitit 1999, menjëherë pas mbarimit të luftës, për hetim e identifikim të krimeve serbe ndaj shqiptarëve.

Ajo ka shkruar një libër kujtimesh me titull “All That Remains” (Krejt çka mbetet), që do të dalë nga shtypi këto ditë. Gazeta britanike “Mirror” ka botuar një fragment kujtimesh nga puna e saj në Kosovë. “Në qershor të vitit 1999 shkova në Kosovë për të ndihmuar në identifikimin e një numri të madh trupash dhe për të vërtetuar rrëfimet e dëshmitarëve, në mbështetje të akuzave për krime të luftës kundër Sllobodan Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Mbërrita në “lokacionin” e parë “të aktakuzës” dhe vesha rrobat e mia të zakonshme të bardha që vishen në vende të krimit, vura dorëzat e dyfishta të lateksit dhe çizme të rënda deri në gju – e qullur në djersë në vapë prej 38 gradësh celsius.

Më 25 mars [1999], forcat e policisë speciale serbe kishin plaçkitur dhe shkatërruar fshatin Krushë e Madhe.

Njerëz të armatosur kishin ndarë burrat dhe djemtë nga familjet e veta dhe i kishin grumbulluar në një aneks shtëpie të braktisur.

Një njeri i armatosur qëndroi te dera dhe e goditi me zjarr automatiku me kallashnikov. Të tjerë njerëz, bashkëkryerës të krimit, e dogjën godinën. Siç njoftohet, katërdhjetë burra e djem humbën jetën atë natë. Po qëndroja në hyrje të godinës dhe po shikoja një skenë tmerri. Ishin hedhur grumbull nja 30 trupa në njërën dhomë dhe nja 12-13 në tjetrën, të gjithë të djegur keq dhe të dekompozuar. Trupat kishin qëndruar aty nja tre muaj të nxehtë dhe po mizërinin nga krimba mishi, të hedhur andej-këndej, dhe pjesërisht i kishin ngrënë qentë këta trupa. Kishte veçse një mënyrë për ta pastruar hapësirën, në duar e në gjunjë, duke punuar prej brenda, duke qëmtuar kujdesshëm çdo pjesë të mbetjeve.
Qëllimi ishte të mblidheshin pjesë të trupave dhe gjësende personale që mund të identifikoheshin, si dhe prova për krimin që përfshinin plumba dhe gëzhoja plumbash.
I pastruam të dyja dhomat dhe i dhamë aq identitet sa mundëm secilës viktimë.
Më i moshuari nga viktimat ishte në të tetëdhjetat, ndërsa më e riu rreth 15 vjeç.
Në një lokacion tjetër, pleq e plaka, gra dhe fëmijë ishin ndarë nga burrat në një kolonë refugjatësh.

Fëmijët ishin çuar në njërën anë të livadhit dhe u ishte thënë të ktheheshin vrap drejt nënave të veta. Mbasi u kishin thënë nënave dhe gjyshërve të shikonin, zaptuesit e tyre kishin shtënë dhe vrarë fëmijët teksa vraponin. Mbasi i kishin mbytur fëmijët, burrat i kishin kthyer armët kundër grave dhe të moshuarve.
Një vrasje gjakftohtë dhe e kalkuluar e të pafajshmëve. Teksa i afroheshim varrezës, disponimi ynë ngrysej.

Ky ishte vend i neveritshëm ku njerëzit barbarë kishin kryer akte të përbuzshme për pikë të qejfit. Trupat ishin zhvarrosur një nga një nga varreza masive. Mbetjet trupore që ishin futur në dhé ka më shumë gjasë të ruhen më mirë – temperatura nën dhe është më e freskët, gjë që ngadalëson dekompozimin, dhe trupat mbrohen nga [kafshët/shpendët] grabitqare. Por nganjëherë gjendja e tyre e ruajtur më mirë e bën më të vështirë të ballafaqohesh me ta. Një vajzë dyvjeçare ishte vendosur në një shtresë plastike para meje, ende e veshur me rroba gjumi dhe e mbathur me çizme të kuqe.

Detyra ime ishte ta zhveshja, që policia të merrte rrobat e saj si prova, dhe pastaj të nisja këqyrjen anatomike, duke vënë re plagët që e kishin bërë plojë trupin e saj të vogël.
Befas e hetova se ra një perde heshtjeje aty.

Këqyra nalt dhe pashë një linjë policie që ma mbylli pamjen. Njëri nga anëtarët e ekipit tonë kishte bërë gabimin e rëndë – kishte transponuar fytyrën e vajzës së vet të vogël në trupin e masakruar të kësaj vogëlusheje – dhe e kishte vështirë ta përballonte situatën.
Prandaj, kolegët e mi po i krijonin një mburojë duke mos e lënë të shihte pamjen e fëmijës së vdekur. Pa nxjerrë asnjë fjalë eca prapa kordonit të burrave dhe i hodha krahët rreth tij derisa qante me zë e zemër.

Kur është puna e vdekjes së tmerrshme të një të pafajshmi, dikush duhet të nxjerrë lotë.
Ligështimi nuk është gjithherë shenjë e dobësisë. Është shpeshherë shenjë e njerëzisë.”