Emigrimi dhe kërkesat për azil të shqiptarëve, janë minimizuar

“Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve dhe kërkesat për azil drejt vendeve të Bashkimit Europian kanë shënuar ulje të ndjeshme”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në nisje të punës operacionale të misionit FRONTEX në Shqipëri.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, Rama tha se “në vitin 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së 27% më pak shqiptarë se sa 1 vit më parë”.

Po ashtu, Rama tha se “kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018 krahasuar me 2017”.

“Falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit për këtë temë të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem dhe ndryshimit të legjislacionit në vendet e tyre, emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve është minimizuar në shifra krejt të papërfillshme”, tha Rama.