Epopeja e Minatorëve

87

Shkruan: Ylber Durmishi

Vërtetë Minatorët e Trepçës e ndryshuan rrjedhën e historisë Jugosllave me Grevën e minatorëve të vitit 1989.

Kjo nuk ishte vetëm një grevë qëndrese dhe revolte, por një lëvizje politike e kohës, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave politike të shqiptarëve të Kosovës.
Falë protestës dhe mbylljes së tyre në zgafellë, në horiznotet e thella të tokës shqiptare, tronditën themelet e ish-Jugosllavisë.

Fillimisht Republika e Sllovenisë u nda përfundimisht nga RSFJ-ja duke u përhapur zjarri i luftës edhe në Republikat tjera si në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë. Pastaj rrjedhimisht ndodhën shumë ngjarje të tjera historike gjatë viteve të 90-ta.

E gjithë popullata shqiptare në ato ditë të ftohta të shkurtit të vitit 1989, u solidarizuan me minatorët tanë trima që gjindeshin në nëntokën tonë shiptare – Minierën e Trepçës.

Unë ato ditë, si student i Shkollës së Lartë Pedagogjike Kimi-Fizikë, të Universitetit të Prishtinës, organizova fillimisht protestën me studenta dhe pastaj për t’u solidarizuar me minatorët, u mbyllëm në amfiteatrin e Shkollës së Lartë “Xhevdet Doda” po aq sa qëndruan minatorët deri në daljen e tyre.

Kërkesat tona studentore që i përpilova unë me dy-tre studentë të tjerë drejtuar organeve politike të vendit, i lexova para mijëra studentëve e profesorave në amfiteatër dhe në prani të strukturave tjera politike në atë kohë.

Brenda një muaji me urdhër të Sllobodan Millosheviçit, sikur shumë shqiptar edhe mua më arrestuan në oborrin e Fakultetit, organet e sigurimit shtetëror Jugosllav.

Më mbajtën tri ditë të lidhur për radiatorit e më akuzuan për organizim të protestave dhe demostratave në Prizren, në burgun e Prizrenit. Më akuzuan edhe që kisha qenë te varri i Enver Hoxhës, gjë që nuk kishte ndodhur.

Arrestimi im u bë një ditë pas vdekjes së mikut tim, profesorit të nderuar dhe patriotit Xhemajli Berisha, të cilin e kishin vrarë dhe e kishin hedhur nga dritarja e katit të tretë, pikërisht në të njejtën dhomë ku gjindesha unë me orë, ditë e netë duke përjetuar tmerr, rrahje e torturë ç’njerëzore!

Unë kërkova të m’i lirojnë duart, ata më thanë: “Jo, se do të hidhesh nga dritarja sikur miku juaj Xhemajli Berisha”.
Unë i’u thashë: “E keni vrarë dhe e keni hedhur ju!”

Në pyetje më merrnin tre inspektorë, një serb, një malazez dhe një shqiptar. Shqiptari më tha: “Mos fol se të vrasin edhe ty!”

Gjatë javës sa isha i izoluar në Prizren, më kanë marrë në pyetje edhe inspektorë të tjerë dhe prokuror i rastit.

Dosja dëshmon që të gjithë organizimin e kam marrë përsipëtër vet. Pa përfshirë e pa përmendur asnjë emër tjetër, të studentëve apo profesorave! Këtë e dëshmon arkivi.
U denova vetëm unë, me dy muaj burgim, nga Gjyqtari Sami Gashi, për çka në seancë u habitën pse nuk ka shkuar lënda në Gjykata më të larta, për denim më të madh.
Mua më dërguan për vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës. Atje gjeta shumë shqiptar të bugosur politik.

Pas vuajtjes së denimit i’u ktheva studimeve që më kishin mbetur pa përfunduar.
Fillimisht m’a ndërprenë kredinë studentore që më takonte nga komuna e Skenderajit. Sekretari për arsim më tha: “Leje që nuk të takon kredia, por as mos humb më kohë të përfundosh studimet, sepse nuk do t’a gëzosh të drejtën kurrë, që të punosh në arsim në shtetin tonë”.

Pastaj, Komisioni Diciplinor i SHLP “Xhevdet Doda” në Prizren, kryetar i së cilës ishte Yll Zajmi, me arsyetimin e organizimit të protestave dhe grevës në këtë institucion m’a ndaluan të drejtën e studimeve për një vit.

Sidoqoftë, unë nuk u ndala dhe nuk i humba kurrë shpresat. Unë i vazhdova studimet dhe ndër të parët e grupit tim diplomova, duke marrë kështu titullin “Mësimdhënës i Kimisë dhe Fizikës”.

Edhe pse i diplomuar, deri në pavarësimin e shkollës shqipe, nuk pata të drejtë t’a marr ditarin e t’i gëzoj të drejtat e mësimdhënësit.
Janë bërë 28 vjet që me kënaqësi e përkushtim e kryej punën time të shenjtë në arsim, duke ligjëruar për nxënës e studentë, brez pas brezi.

Si shkas i këtyre rreshtave edhe pas 34 vjetëve “Java e Minatorëve-Epopeja e Minatorëve” për mua gjithmonë do të mbetet e pa harruar, sepse ngjallë kujtimet e së shkuarës dhe jetës së vështirë studenore të asaj kohe.

Me fat!