Epopeja e UÇK-së: Mbahet akademi përkujtimore në Tiranë

Nën organizimin e Qeverisë së Kosovës dhe organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot u mbajt akademi përkujtimore me rastin e vitit jubilar, 20 vjetorit të Epopesë së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Akademia u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë prej orës 18:00.

Në këtë akademi morën pjesë, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, një delegacion i Forcës së Sigurisë së Kosovës i udhëhequr nga Komandanti i saj, gjeneral Rrahman Rama, i ngarkuari me Punë në Ambasadën e  Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-dega në Tiranë, Sokol Poga, një delegacion i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, i udhëhequr nga kryetari i saj, Xhavit Jashari, një delegacion i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i udhëhequr nga sekretari i saj, Faton Klinaku dhe përfaqësues të tjerë nga trojet shqiptare, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Për historikun e Epopesë foli Sokol Poga, kryetar i OVL UÇK-së dega në Tiranë

Në emër të Qeverisë së Kosovës, një fjalë rasti e mbajti Sylë Ukshini.

Me këtë rast, Rifat Jashari e falënderoi popullin e Shqipërisë për mikpritjen gjatë periudhës së luftës në Kosovë, por edhe pas luftës.

Ndërkaq, ish-kryeministri Pandeli Majko deklaroi se “sot është dita e të vdekurve të gjallë. Dita kur kujtimi flet me të tashmen”.