Era zgjedhje të reja nacionale në Kosovë? Opozita jep alarmin: Jemi gati

Kosovarët mund t`i drejtohen kutive të votimit shpejt.

Zgjedhjet e parakohshme nacionale nuk po përjashtohen si mundësi nga opozita dhe shoqëria civile.

Pretendimet e tyre lidhen me mundësinë e dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit Albin Kurti si pasojë e përplasjeve me ndërkombëtarët rreth shtensionimit në Veri.

AAK ka paralajmëruar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, nismë për të cilën kryetari Ramush Haradinaj pretendon se i ka votat.

Kaq i bindur s`po del të jetë edhe një deputet i partisë së tij.

“Ka mundësi të ketë zgjedhje. Kur don Albini mbahet zgjedhjet, shkon Qeveria te shpija. Mundet me dhënë dorëheqje”, u shpreh deputeti Shemsedin Dreshaj për “Front Online”.

Nga PDK e LDK thonë se zgjedhjet e hershme nuk do t`i kapnin kurrsesi në befasi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje në çdo moment, për këtë të jesh i bindur. Ama Kurti duhet ta çojë mandatin deri në fund, ta shohin qytetarët se kah po e çon Kosovën”, u shpreh për “Front Online” Valentina Bunjaku, deputete e LDK-së.

“Mundësi për zgjedhje ka gjithmonë patjetër. PDK është 100 % e gatshme për zgjedhjet e reja. Nuk kemi vendos akoma, s`ka vendim kryesia e partisë ende për mocionin e AAK-së”, deklaroi Ferat Shala i PDK-së për “Front Online”.

Shoqëria civile e pranon po ashtu se Kurti mund t`i provokojë vetë zgjedhjet e reja.

Analisti Arbnor Sadiku shpjegoi arsyen.

“Kjo për faktin se atij po i kërkohet nga SHBA dhe BE, krijimi i Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë dhe për t`i ikur kësaj ose do kemi zgjedhje ose tërheqje të rezistencës së Kurtit ndaj ndërkombëtareve nga Veriu”, u shpreh Sadiku për “Front Online”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët sa i përket situatës në veri e se gjërat nuk mund të zgjidhen me trysni apo përmendje pasojash.

Lini një Përgjigje