Është inauguruar në Kopenhagë Konsullata e përbashkët Kosovë-Shqipëri

0
26

Është inauguruar dje në Kopenhagë të Danimarkës Konsullata e përbashkët Kosovë-Shqipëri. Në një ceremoni të veçantë, Konsulli i Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Arton Krasniqi dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kastrit Robo, kanë bërë inaugurimin e Konsullatës së përbashkët.

Në prani të autoriteteve daneze dhe trupit diplomatik të akredituar në Kopenhagë, konsulli Krasniqi ka theksuar nevojën e vazhdimit të projekteve të përbashkëta dhe inicimin e nismave të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, si dhe për bashkëpunim në kuadër të agjendës bilaterale dhe multilaterale, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Sot është një ditë e veçantë, pasi po hapim konsullatën e përbashkët me Shqipërinë, e treta e këtij lloji dhe gjithsesi jo e fundit. Këtë ditë e madhështon data e nesërme, 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që nuk u arrit lehtë kur kemi parasysh sakrificën e shumë brezave”, ka thënë konsulli Krasniqi.

Nga ana tjetër ambasadori i Shqipërisë, Kastriot Robo e ka vlerësuar lartë aktin e hapjes së Konsullatës së përbashkët.

“Do të punojmë së bashku për t’i ofruar shtetasve si të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe të Republikës së Kosovës, shërbime sa më pozitive sa më moderne, profesionale dhe nuk ka dyshim se qytetarëve tonë do t’iu ofrohen shërbime sa më të mirë të mundshme”, ka thënë ai.

Po ashtu, do të jetë një pikë reference për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës e Danimarkës, pasi ky rajon përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve si dhe është ndër më të pasurit dhe më të zhvilluarit në botë dhe do të shndërrohet në adresën kryesore të kërkesave të qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat e tyre e për të promovuar të drejtat dhe identitetin, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.