Falsifikon diplomën për të marrë vizën amerikane, arrestohet 41-vjeçari

0
243

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë për Agron Selmanin, i cili u arrestua sapo doli nga Ambasada Amerikane, ku ishte paraqitur për të dhënë intervistën për të marrë vizën.

Mësohet se ndaj 41-vjeçarit, është vendosur masa “Arrest me burg”, deri në fund të hetimeve, pasi akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve shkollore”.

Sipas Shërbimit Dimplomatik të Sigurisë DSS, Selmani, mes dokumenteve që kishte dorëzuar për të marrë vizën përmes lotarisë, kishte edhe një diplomë të shkollës së mesme “Jordan Misja” në Shkodër.

Mirëpo, kjo diplomë rezultoi të ishte false, pasi 41-vjeçari nuk kishte qenë asnjëherë në këtë shkollë.

Ndërkohë, Prokuroria i është paraqitur gjykatës me dy kërkesa të ndryshme. Ditën e djeshme në sekretari u dorëzua kërkesa që Selmani të lihej në arrest shtëpie, e ndërsa në seancën e sotme kërkesa ishte për arrest me burg, kërkesë kjo që u pranua më pas nga gjykata.

Kujtojmë se ky është rasti i dytë që zbulohet brenda këtij muaji, dhe që konsiderohet një krim i rëndë në SHBA, dhe që parashikohet si vepër penale edhe në Kodin Penal shqiptar.