Fatmir Limaj optimist se këtë javë ratifikohet demarkacioni

0
289
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka shprehur optimizmin e tij për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi gjatë kësaj jave.

“Unë pres që këtë javë të mbyllet. Do të doja që këtë javë të mbyllet”, ka thënë Limaj, në një intervistë në RTK, teksa ka folur për demarkacionin.

“Kjo javë, besoj, është shumë e rëndësishme për ta mbyllur këtë temë”, është shprehur kreu i Nismës Socialdemokrate.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës i vendit po angazhohet për t’i siguruar votat për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin, teksa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe paralajmërojnë se do të votojnë kundër.

“Kemi punuar fort këto ditë për t’i siguruar votat”, shprehet Limaj.

Ai ka thënë se, përkundër raportimeve në media, “Lista Serbe nuk ka kërkuar asgjë”, në këmbim të votave për demarkacionin.

“Njerëzit kanë vështirësi, probleme të natyrave të ndryshme. Duan kohë, e kanë të vështirë”, deklaron Limaj.

“Nuk ka pasur diskutime me tension. Ne po japim argumente pse është e rëndësishme për vendin të ecet përpara”, thekson Limaj.