Ferat Shala për paralajmërimet për krizë energjetike: Qeveria e paaftë në menaxhim

0
46

Evropa tash e sa ditë po alarmon për krizën energjetike që ka nis të shfaqet në shumë shtete, por edhe më shumë për mundësitë e thellimit të kësaj krize në muajt në vijim.

Por, me sa duket edhe Kosovën, e pret një dimër i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Kështu ka paralajmëruar për Front Online, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Shala ka thënë se Qeveria nuk ka përgatitje serioze për periudhën e dimrit.

Sipas tij, kriza për energji është e pritshme në muajt në vazhdim.

“Nëse vazhdon kështu siç është situata dhe Qeveria nëse vazhdon me këtë menaxhim që nga ardhja në pushtet, kriza për energji është e pritshme në sezonin dimëror. Vitin e kaluar e kemi mbështetur shpalljen e gjendjes emergjente, por nuk patëm asnjë ndryshim përveç ngritjeve të tarifave, askund nuk dukët nga kjo Qeveri që kemi ndonjë lëvizje sa i përket përgatitjeve serioze për periudhën e dimrit”, tha Shala për Front Online.

Deputeti i PDK-së, Shala ka thënë se ekipi i Qeverisë ‘Kurti’ nuk ka kapacitete për ta udhëhequr sektorin e energjisë.

Ai thotë se në këtë sektorë ka miliona borxhe, shkak i premtimeve të parealizuar për subvencionimin e tarifave.

“Deri tash nuk shohim që Qeveria po reflekton dhe nuk ka asnjë ide. Kemi dhënë disa faqe publike për defektet që ka dhe punën e keqe që kanë bërë për draft strategji, unë si kryetarë i komisionit dhe si PDK nuk kemi pritur vetëm të japim kritika por kemi dhënë ideja dhe rekomandime por fatkeqësisht Qeveria me paaftësi menaxhuese me një ekip që nuk ka kapacitete me rregulluar dhe me udhëhequr sektorin kështu, na ka pruar para një situate ku sektori energjetik ka qindra miliona borxhe në kompani private dhe publike për shkak të premtimeve që i kanë dhënë për subvencionime e tarifave”, u shpreh ai për Front Online.

Shala ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës u ka rekomanduar partisë në pushtet shtatë rekomandime për situatën në energji.

“PDK-ja javën që kaloi i ka dhënë shtatë rekomandime, ku kemi propozuar që të kemi një propozim të legjislacionit dhe rregullim urgjent në mes institucioneve të sektorit energjetik, rregullatorë, kompani shërbyese. Kemi propozuar edhe që Qeveria duhet të kishte trupa profesionale dhe të hartonte një legjislacion tjetër sekondarë, që do të krijonte mundësinë që sektori i energjisë të ketë mbështetje duke ju krijuar familjeve ekonomi dhe subvencione për ndërrimin e kaldajave, që kanë shpenzim të lartë energjetike. Po ashtu kemi kërkuar që të bëhet një komision tjetër që Qeveria të jetë transparente gjatë kësaj faze të menaxhimit dhe të komunikojë hapur me qytetarët, etj”, përfundoi Shala.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend.