Fillojnë pakënaqësit në LDK, ish-ministri u çon selam bashkëpartiakëve

0
308

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK’së, Imet Rrahmani, duket se nuk është i kënaqur me mënyrën se si po funksionon partia e Isa Mustafës.

Në një reagim në profilin e tij, Rrahmani ka thënë që zyrtarët e partisë duhet t’i mbajnë lidhjet me nëndegët, selitë e partisë dhe njerëzit që kanë ndikim dhe të mos aktivizohen vetëm në kohën kur bëhen listat e komisionerëve për zgjedhje.

Me gjasë Rrahmani një mesazh të tillë ia ka dërguar bashkëpartiakut Florian Dushi, duke qenë se ky i fundit ka përfaqësuar LDK’në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe është marrë me çështjen e hartimit të listave të komisionerëve.

“Për ata që janë “aktiv” në parti vetëm kur bëhen listat e komisionerëve kam një propozim. Sillnu ka nëndegët, selitë, dhe thirrni në kafe njerëzit me ndikim”, ka shkruar Rrahmani.

Një gjë të tillë Rrahmani e ka thënë teksa me gjasë ka projektuar zgjedhjet e reja.

“Mos thuni u zum në befasi”, ka shkruar Rrahmani tutje.

Në fund Rrahmani ka thënë se “Kurrë su mbushëm mend”.

Ditëve të fundit është nxitur një debat brenda LDK’së, rreth koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje. Disa figura brenda partisë duket se nuk e dëshirojnë bashkëpunimin me partinë e Kurtit dhe një gjë të tillë e kanë shprehur hapur edhe nëpër mbledhje të Kryesisë.

Një ndër ta është Florian Dushi, i cili mbrëmë përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar ka thënë se është pro një marrëveshje me VV’në por jo duke i pranuar një anshëm kushtet e Kurtit.