Finalizohet operacioni i koduar “Prita”

Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike, e ndarë në doza gati për shitje

Finalizohet operacioni i koduar “Prita”, vihet në pranga një shtetas

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Prita”, ku u arrestua në flagrancë shtetasi F.B., 29 vjeç, banues në Durrës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kishin siguruar informacione në rrugë operative, se ai shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• rreth 50 doza lëndë narkotike e dyshuar Marijuanë;

• një peshore elektronike.

Materialet i kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, njofton policia e shtetit.