Financojnë por nuk përfaqësojnë: Asnjë kandidat i vetëm nga diaspora në Listën e VV-së për deputet

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në thuajse secilën paraqitje të tij ju bën thirrje shqiptarëve në diasporë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim në Kosovë. Thirrje e mirë, pa dyshim.

Por megjithatë kjo parti nuk e rezervoi asnjë vend për ndonjë përfaqësues të diasporës në listën e kandidatëve për deputetë, shkruan Periskopi.

Asnjëra nga shtatë degët e Lëvizjes Vetëvendosje në diasporë nuk ka kandidat për deputet në listën e VV-së të përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 6 tetor.

Dega e Gjermanisë, Norvegjisë, Zvicrës, Belgjikës, Suedisë, Britanisë së Madhe dhe Austrisë nuk kanë deleguar asnjë person për këtë listë, duke e lënë kështu diasporën të papërfaqësuar në institucionet shtetërore.

Edhe pse jetojnë jashtë shtetit, secili nga anëtarët e këtyre degëve ka të drejtë të kandidoj për deputet në legjislaturën e shtatë të Republikës së Kosovës.

Kështu tha për Periskopin, avokati i njohur Arianit Koci.

“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që i plotëson edhe kushtet e tjera të parapara me ligj mund të kandidojë për deputet, me kusht që nëse zgjedhet të kthehet në Kosovë e t’i kryejë obligimet e tij”, sqaroi Koci.

Periskopi ka provuar të marrë përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me këtë temë, por edhe pse u premtua që të dielën do të kishim një të tillë me shkrim, as pas një telefonate gjatë ditës së sotme nuk morëm përgjigje.

Përgjigje për numrin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe interesimin e këtyre anëtareve për të kandiduar për deputet kërkuam edhe nga qendrat e VV-së në Austri, Britani të Madhe dhe Zvicër, por i vetmi person që na ktheu ishte përgjegjësi i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Austri, Verim Mejzini.

Ai tha se në lidhje me këtë temë mund të kontaktonim shtabin e përgjithshëm zgjedhor të Vetëvendosjes dhe nuk na dha asnjë informacion më shumë.

Në anën tjetër, takimi i fundit i Albin Kurtit me diasporën shqiptare u bë në Zvicër, ku u prit nga shumë bashkatdhetarë të atjeshëm.

Fjalët e para të Albin Kurtit drejtuar publikut ishin shprehjet e falenderimit për mërgatën, për rolin e saj në të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe sidomos frymën e saj atdhetare.

“Ju jeni jashtë atdheut por pjesë e kombit”, ka përsëritur ai disa herë, shkruan portali shqiptar në Zvicër, Albinfo.

Sipas këtij portali Kurti ka thënë se tashmë, mjerisht, në mërgatë i kemi edhe intelektualët më të mirë, edhe ndërmarrësit më të fortë e më të ndershëm, artistët e sportistët më të mirë, me një fjalë, sipas tij, diaspora ka zemrën, trurin dhe muskujt.

Por, si duket diaspora ka gjithçka përveç një përfaqësuesi në listën e kandidatëve për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë këtij takimi Kurti ka thirrur mërgimtarët që të marrin pjesë në zgjedhjet që mbahen më 6 tetor.

Ndërsa, prej hapjes së afatit, sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri paraditen e së hënës, janë pranuar 15 mijë e 200 aplikime për regjistrim si votues jashtë vendit.

Kujtojmë se dikur pjesë e Vetëvendosjes si deputet ishte Florin Krasniqi, e i cili kishte qenë edhe financues i madh i saj. Kujtojmë se as partitë e tjera nuk e kanë vendosur asnjë pjesëtar të diasporës në listat e tyre për deputetë.